18/03/2010
PODGORICE, Mali i Zi -- Zyrtarët konfirmuan të mërkurën (17 mars) se Kryeministri i hequr tailandez Thaksin Shinavatra është një shtetas malazes dhe ndodhet tashmë në vend. Media njoftoi në fund të javës se Shinavatra ishte parë më qytetin e Budvës. Ndonëse ai kërkohet nga autoritetet në vendin e tij, ku u dënua në mungesë me dy vjet burg për korrupsion, policia malazeze thotë se nuk ka arsye që t'a arrestojë atë. Shinavatra u hoq në një grusht shteti ushtarak më 2006, mes akuzave për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit. Atij iu dha shtetësia malazeze dhe një pasaportë vitin e kaluar. (RTCG, Cafemontenegro, BBC, Reuters - 17/03/10)
18/03/2010
PRISHTINE, Kosovë -- Serbët në Kosovë përkujtuan të mërkurën (17 mars) gjashtë vjetorin e protestave që lanë dhjetra të vdekur dhe mijëra të përzënë nga shtëpitë e tyre. Në Fushë Kosovë, Peshkopi Atanasije u bëri thirrje besimtarëve ortodoksë që të luftojnë për Kosovën me dinjitet. Serbët në Mitrovicën e veriut e përkujtuan gjithashtu ngjarjen. Pati gjithashtu shërbesa në kishat anembanë Serbisë. Në Beograd, Patriarku serb Irinej përsëriti se Serbia nuk do të heqë dorë kurrë nga Kosova. Në mars 2004, tensionet midis shqiptarëve etnikë dhe serbëve vluan pasi një i ri serb u plagos nga të shtëna prej një makine në fshatin Çagllavica, pranë Prishtinës. Përleshjet pastaj shpërthyen në Mitrovicë mes lajmeve se tre fëmijë shqiptarë ishin mbytur, pasi u dyshua se ishin detyruar nga serbët të hidhen në Lumin Ibar. (Klan Kosova, TV 21, RTK, B92 - 17/03/10)
18/03/2010
BRUKSEL, Belgjikë -- Kryeministri grek Jorgo Papandreu tha të mërkurën (17 mars) se do të shqyrtojë kërkimin e ndihmës financiare nga FMN po të jetë e nevojshme. "Nëse zbulojmë se duhet të marrim kredi nga tregjet financiarë me interesa jashtëzakonisht të larta për të financuar borxhin grek, do të shqyrtojmë të gjithë opsionet," i tha Papandreu një konference shtypi me Presidentin e Komisionit Europian Hoze Manuel Barrozo në Bruksel. Megjithatë, ai vuri në dukje se Athina preferon një zgjidhje të BE. Barroso tha se tashmë sheh një ndryshim në gjendjen ekonomike të rëndë të Greqisë, e krahasuar me vetëm disa javë më parë, falë përpjekjeve të qeverisë.
Në Berlin, të mërkurën, Kancelarja gjermane Angela Merkel i tha parlamentit se duhet të ekzistojë një mekanizëm për të përjashtuar anëtarët e zonës euro që shkelin vazhdimisht rregullat financiare të saj. Ajo përsëriti se Gjermania nuk planifikon asnjë ndihmën financiare "të nxituar" për Greqinë dhe tha se nuk ka asnjë alternativë ndaj planit grek të shtrëngesës. (ANA-MPA, BBC, Xinhua, European Voice, AP - 17/03/10)
18/03/2010
TIRANE, Shqipëri -- Komisoneri i Zgjerimit të BE Stefan Fuele u kërkoi të mërkurën (17 mars) politikanëve shqiptarë që të zgjidhin bllokimin në vazhdim sa më parë që të jetë e mundur. Thirrja erdhi në një deklaratë të lëshuar nga delegacioni i BE në Tiranë, përpara vizitës së planifikuar të Fule të premten. "Do t'u bëj thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku në mënyrë që Shqipëria të mundet të fillojë plotësisht reformat e nevojshme për ... shpresën europiane të saj," tha Fuele. Ai po i referohej një bojkoti parlamentar që Partia Socialiste (PS) e opozitës i dha fund kohët e fundit.
Raportuesja e Parlamentit Europian mbi liberalizimin e vizave Tanja Fajon gjithashtu i bëri thirrje PS të mërkurën që të marrë pjesë plotësisht në parlament. Duke folur nga Strasburgu, ajo u këkoi deputetëve që të tregojnë pjekuri politike, ndërsa procesi i liberalizimit të vizave të vendit për në BE hyn në një fazë vendimtare. Ndonëse PS zyrtarisht përfundoi bojkotin gjashtë mujor të saj lidhur me atë që i konsideron si zgjedhje të manipuluara të qershorit 2009, anëtarët kanë ndjekur seancat me zgjedhje. (Lajmifundit, Shekulli, Balkan Web, Top Channel - 17/03/10)
18/03/2010
SHKUP, Maqedoni -- Media vendase njoftoi të mërkurën (17 mars) se qeveria ka deri më 9 qershor për t'ju përgjigjur Greqisë lidhur me ankesën që Shkupi ka ngritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) për shkeljen e pretenduar nga Greqia të një marrëveshjeje dypalëshe. Maqedonia e paraqiti ankesën e saj në nëntor 2008, duke akuzuar Greqinë për prishjen e një marrëveshjeje të përkohshme, duke bllokuar kërkesën e Shkupit për hyrjen në NATO gjatë takimit të nivelit të lartë të Aleancës në Bukuresht. Sipas marrëveshjes, Athina "bie dakord që të mos kundërshtojë" kërkesën e Maqedonisë për anëtarësim në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare që i referohen asaj si Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë. Greqia paraqiti kundër-argumentet e saj më 19 janar. (MIA, Makfax, A1, MRT - 17/03/10)
18/03/2010
BEOGRAD, Serbi -- Komisioneri i Zgjerimit Stefan Fuele shprehu të mërkurën (17 mars) mbështetjen e Komisonit Europian (KE) për integrimin në BE të Serbisë. Pas bisedimeve me Kryeministrin Mirko Cvetkoviç në Beograd, Fuele tha se ndërsa Serbia ndesh mjaft probleme dhe detyra, KE është gati të ndihmojë nëse Beogradi është vërtet i vendosur. Fuele shtoi se Serbia duhet të ruajë vrullin pozitiv të arritur vitin e kaluar. Sa për Kosovën, Cvetkoviç i kërkoi bllokut që të dalë me një zgjidhje teknike që pjesëmarrja e Prishtinës në takimet ndërkombëtare të jetë neutrale në lidhje me statusin. (Beta, Tanjug - 17/03/10)
18/03/2010
BRUKSEL, Belgjikë -- Raportuesi i Parlamenti Europian për Serbinë Jelko Kacin tha të mërkurën (17 mars) se varet nga autoritetet serbe që të vendosin nëse do të marrin pjesë në një takim të nivelit të lartë BE-Ballkan të ardhshëm në Slloveni. Ai shtoi se Presidenti i BE Herman Van Rompuj ka thënë se do të ndjekë takimin nëse atje është Presidenti serb Boris Tadiç. Ky i fundit ka thënë se do të shkojë vetëm nëse Kosova përfaqësohet atje nga UNMIK, pasi përndryshe marrja pjesë do të nënkuptojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. (Beta, RTS, Tanjug, FoNet - 17/03/10)
18/03/2010
ZAGREB, Kroaci -- Bosi serb i drogës Sreten Joçiç nuk do të dëshmojë në gjyqin që po zhvillohet tashmë në Zagreb për vrasjen e botuesit dhe gazetarit të shquar kroat Ivo Pukaniç, vendosi të mërkurën (17 mars) Gjykata e Qarkut të Zagrebit. Gjyqtarët vunë në dukje se Joçiç do të përballet me akuza që rrjedhin prej vrasjes në Beograd. Prokurorët thonë se Joçiç organizoi vrasjen e Pukaniç, duke paguar 1.5 milionë euro për të vrarë gazetarin që kishte njoftuar mbi kontrabandën. Pukaniç, bashkëpronar dhe kryeredaktor i së përjavshmes Nacional, vdiq nga një bombë makinë në qendër të Zagrebit më 23 tetor 2008, së bashku me drejtorin e marketingut të gazetës Niko Franjiç. (Beta, HRT, B92 - 17/03/10)
18/03/2010
HAGE, Hollandë -- Gjyqi i udhëheqësit të Partisë Radikale Serbe Vojiosllav Sheshelj u shty deri në një njoftim tjetër për shkak të problemeve shëndetësore të katër dëshmitarëve të mbetur, njoftoi të mërkurën (17 mars) gjykata e krimeve të luftës e OKB. Prokurorët kishin shpresuar që të përfundonin marrjen në pyetje të tyre deri në fund të këtij muaji. Sheshelj është akuzuar për krime të luftës kundër jo-serbëve në Kroaci, Vojvodinë dhe Bosnjë dhe Herzegovinë midis 1991 dhe 1993.
Në lajme të tjerë të mërkurën, prokurorët serbë hoqën akuzat e tradhëtisë kundër ish-Gjeneralit të Ushtrisë Popullore Jugosllave Vlado Trifunoviç dhe katër oficerëve të tjerë. Trifunoviç ishte akuzuar nga rregjimi i Sllobodan Millosheviçit për shkak se braktisi një bazë të ushtrisë në qytetin kroat Varazhdin herët në konfliktin e 1991-1995, për të shpëtuar jetën e ushtarëve të tij atje. (Fena, Beta, Srna, Vecernje Novosti, Beta, Tanjug, B92, AP - 17/03/10)
18/03/2010
BANJA LUKE, Bosnjë dhe Herzegovinë (BiH) -- Parlamenti i Republikës Sërbska (RS) miratoi të mërkurën (17 mars) një projekt-ligj që kërkon kryerjen deri më 2011 të një rregjistrimi të popullsisë. Pyetësori do të përmbajë një seksion për shtetësinë, gjuhën amtare, kombësinë dhe fenë, ndonëse me ligj askush nuk është i detyruar të deklarojë kombësinë apo fenë. Anëtarët boshnjakë të parlamentit ishin kundër projekt-ligjit. (RTRS, BHRT, Fena, Dnevni Avaz - 17/03/10)
18/03/2010
BRUKSEL, Belgjikë -- Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha të mërkurën (17 mars) se pakësimi i KFOR tregon sigurinë e përmirësuar në vendin e ri. Sejdiu i informoi ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel rreth arritjeve të Kosovës si një shtet i pavarur, duke shtuar se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së saj në shkurt 2008, Kosova ka arritur të ruajë stabilitetin e përgjithshëm të saj. (TV 21, RTK, Kohavision, Arta TV - 17/03/10)
18/03/2010
BUKURESHT, Rumani -- Partia Liberale Demokratike (PDL) në pushtet njoftoi të mërkurën (17 mars) se do të kërkojë një vendim nga Gjykata Kushtetuese nëse përpjekjet e saj për të hequr social demokratin Mirçea Xheoana si kryetar të senatit pengohen. PDL dëshiron që t'a heqë Geoanën për shkeljen e pretenduar të rregullave të senatit. Përpjekjet e tyre për të nisur një votë mosbesimi kanë dështuar disa herë tashmë, pasi si Zyra e Përhershme e Senatit, ashtu edhe vetë Geoana si kryetar kundërshtuan që t'a paraqesin çështjen në një votim. Si rezultat, puna në senat praktikisht është bllokuar.
Në lajme të tjera të mërkurën, Kristian Anghel, kryebashkiak i qytetetit verior të Baia Mare, u dënua me dy vjet e gjysmë burgim për shpërdorim të fondeve publikë. Prokurorët thanë se Anghel, i Partisë Kombëtare Liberale të opozitës, pagoi shumë më tepër për pronën më 2006 për të ndërtuar një bashki të qytetit. (Mediafax, Realitatea, Mediafax, Agerpres, AP, Cotidianul, Gandul, Evenimentul Zilei - 17/03/10)
18/03/2010
SOFJE, Bullgari -- Media vendase njoftoi të mërkurën (17 mars) se Ministrja e Drejtësisë Margarita Popova dhe Ministri i Brendshëm Tsvetan Tsvetanov po bëjnë thirrje për reformë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë (SJC), organizmi më i lartë vendim-marrës në sistemin gjyqësor. Ata veçanërisht janë kundër sistemit me kuota politike në SJC, pasi 11 nga anëtarët e tij janë zgjedhur nga parlamenti, gjë që ministrat thonë se jep një çadër mbrojtëse për figurat e krimit të organizuar. Tsvetanov thotë gjithashtu se ka shumë gjyqtarë, 25 prej tyre, për një vend me përmasat e Bullgarisë. Çdo reformë në SJC do të kërkojë një ndryshim kushtetues. (Dnevnik, Darik, Trud - 17/03/10)