Gjenerali i lartë i SHBA viziton Turqinë për bisedime mbi luftën ndaj terrorizmit dhe PKK

04/07/2008

ANKARA, Turqi -- Gjenerali Xhejms Kartrajt, nënkryetar i shefave të përbashkët të shtabeve të SHBA arriti të enjten (3 korrik) në Ankara për të diskutuar luftën kundër terrorizmit duke përfshirë operacionet kundër Partisë së jashtëligjëshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Ambasada e SHBA thotë se Kartrajt u takua me shefin e shtabit të përgjithshëm të Turqisë, gjeneralin Jashat Bujukanit dhe zëvendësin e tij gjeneral Ergin Sajgun. Kjo është vizita e tretë e Kartrajt në Ankara që nga nëntori 2007. Turqia, mbështetur nga shërbimet e inteligjencës ushtarake të SHBA, ka kryer për muaj të tërë operacione ushtarake kundër bazave të PKK në Irakun e veriut.

Në lajme të tjera, shtabi i përgjithshëm turk njoftoi se vendpushimi bregdetar i Antalias do të presë një takim tre-ditor të shefave të shtabeve të vendeve të Ballkanit diuke filluar nga e diela. Do të marrin pjesë zyrtarë nga Turqia, Shqipëria, Bosnje dhe Herzegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia dhe Greqia, si edhe delegacione të NATO dhe BE. (Zaman, Turkish Daily News - 04/07/08; AFP, Hurriyet - 03/07/08)

Gruevski do të mbajë raundin final të bisedimeve përpara se shpallë koalicionin e ri qeverisës të Maqedonisë

04/07/2008

SHKUP, Maqedoni -- Kryeministri Nikola Gruevski do të mbajë edhe një raund bisedimesh me Bashkimin Demokratik për Integrimin, Partinë Demokratike të Shqiptarëve dhe Partinë për të Ardhmen Evropiane, tha zëdhënësi i qeverisë Ivica Boçevski. Gruevski mbajti një raund të tretë konsultimesh me të tre partitë të enjten (3 korrik). Boçevski mohoi zërat se bisedimet mbaruan me dështim duke thënë se negociatat po vazhdojnë sipas planit. E përditëshmja Utrinski Vjesnik përmend një burim të paidentifikuar që thotë se marrëveshja e koalicionit do të nënshkruhet të hënën. (Utrinski Vesnik, Dnevnik - 04/07/08; Makfax, A1 TV - 03/07/08)

Opozita bullgare do të kërkojë votim të ri mosbesimi për shkak të problemeve me BE

04/07/2008

SOFJE, Bullgari -- Opozita ka në plan një votim të ri mosbesimi kundër kabinetit bazuar në problemet me përthithjen e fondeve të BE dhe korrupsionin, tha të enjten (3 korik) bashkëkryetari i i Bashkimit Popullor të Bullgarisë, Stefan Sofjanski. Partitë e opozitës kanë në plan të harxhojnë rreth një javë duke diskutuar mocionin dhe drejtuar rastin. Raportet e medias sugjerojnë se ato do ta nisin mocionin përpara raportit të rregullt nga Komisioni, që është në fund të korrikut, për të shmangur marrjen nga parlamenti të pushimit veror përpara se të mbahet votimi. Raporti i KE pritet të kritikojë Bullgarinë për korrupsionin dhe keqpërdorimet e rrjedhura nga shfrytëzimi i fondeve të BE në muajt e fundit, si dhe për skandalet e fundit që tronditën ministrinë e brendëshme. (24 Chasa - 04/07/08; Focus, bTV, Dnevnik - 03/07/08)

Kroacia optimiste për anëtarësimin në NATO

04/07/2008

ZAGREB, Kroaci -- Nënkryeministri Damir Polancec tha të enjten (3 korrik) se përveç përfitimeve të sigurisë, Kroacia do të gëzojë përfitime të ndjeshme ekonomike nga anëtarësimi vitin tjetër në NATO. Duke folur në një konferencë ndërkombëtare mbi hyrjen në NATO, në Zagreb, Polancec tha se ai pret që anëtarësimi të nxisë investimet e huaja dhe të rritë rritjen ekonomike. "Investitorët potencialë do të ndjehen më të sigurtë tani, kur të vendosin të investojnë në Kroaci. Kjo është me rëndësi të veçantë, pasi ne duam të tërheqim më shumë investitorë në terren se ç'ishte rasti në të kaluarën, kur kishim shumë pak," tha Polancec.

Gjithashtu të enjten, ministri i jashtëm kroat Goran Jandrokoviç u takua me homologun e tij çek Tomas Pojar. Ata vlerësuan nivelin aktual të lidhjeve të ndërsjellta, me Jandrokoviç që që tregoi se mbështtja e vendit të tij do të jetë në dispozicion gjatë presidencës çeke të BE e cila fillon në janar. (Vjesnik - 04/07/08; Javno.com, HINA, Reuters - 03/07/08)

Gregorian mbështet Transparency International BiH në grindjen me Dodik

04/07/2008

SARAJEVË, Bosnje dhe Herzegovina (BiH) -- Ndihmësi kryesor i Përfaqësuesit të Lartë Rafi Gregorian shprehu të enjten (3 korrik) mbështetjen e tij për OJQ gjurmuese të korrupsionit Transparency International BiH (TI BiH). Më parë gjatë javës, Milorad Dodik i Republika Srpska (RS) tha se ishte në dijeni të praktikave të këqia nga ana e TI BiH , duke përfshirë bizneset e paligjëshme dhe shantazhin ndaj disa biznesmenëve të RS. Gregorian u takua me përfaqësuesit e TI BiH dhe tha më pas se organizata "nuk ka qenë kontaktuar kurrë nga policia dhe nuk është marrë në pyetje apo thirrur në gjykata. Ka patur njoftime të përsëritura nga përfaqësues të qeverisë së RS për veprime ligjore kundër organizatës të cilat nuk kanë rezultuar kurrë në veprime konkrete. Në qoftë se dikush beson se se ka një rast civil apo penal për t'u përgjigjur, kjo duhet bërë nëpërmjet gjykatave, jo deklaratave publike." (OHR website, Fena - 03/07/08)

RS propozon marrëveshje të marëdhënieve të posaçme me Malin e Zi

04/07/2008

PODGORICË, Mali i Zi -- Kryeministri i Republika Serpska (RS) Milorad Dodik u takua me homologun e tij malazes Milo Gjukanoviç në Podgoricë të enjten (3 korrik)dhe sugjeroi një marrëveshje marrëdhëniesh të veçanta për t'u nënshkruar midis njësisë dhe Malit të Zi. Dodik tha se Marrëveshja e Dejtonit i jep RS të drejtën të miratojë marrëveshje të tilla. RS ka ndërkaq një të tillë me Serbinë, pavarësisht nga kritika e ashpër nga njësia tjetër, Federata e BiH. Dodik dhe Gjukanoviç diskutuan gjithashtu bashkëpunimin për energjinë, transportin, turizmin si edhe mundësinë e ndërtimit të një kalimi tjetër kufitar.

Presidenti maqedonas Branko Crvenkovski ishte në Podgoricë të enjten duke takuar presidentin Filip Vujanoviç. Ata u përqëndruan në përpjekjet për të nxitur marrëdhëniet ekonomike dhe mundësinë që të dy vendet të mbështesin njeri tjetrin në përpjekjet e tyre integruese evro-atllantike. Pas takimit, Vujanoviç tha se se do të vendoset shërbimi ajror i rregullt midis Malit të Zi dhe Maqedonisë. (RTRS, PBS, RTCG, MRT, MIA - 03/07/08)

Ambasadori thotë se SHBA do të forcojë partneritetin strategjik me Rumaninë

04/07/2008

BUKURESHT, Rumani -- Ambasadori i SHBA në Rumani, Nikolas Taubman tha se vendi i tij është i vendosur në forcimin e partneritetit strategjik me Rumaninë. Në një deklaratë që shënon Ditën e Pavarësësisë së SHBA, 4 korrikun, Taubman tha se bashkëpunimi nuk është i kufizuar në sektorët e ushtrisë dhe mbrojtjes pasi kompani të tilla si Ford dhe Emerson kanë hapur fabrika në Rumani këtë vit. Taubman përgëzoi gjithashtu autoritetet rumune për organizimin prej tyre të samitit të NATO-s në Bukuresht në prill dhe falenderoi Rumaninë për kontributin e saj në përpjekjet paqeruajtëse ndërkombëtare. (Rompres, Mediafax - 04/07/08)

OSBE thotë se gjyqësori i Kosovës është i paefektshëm pas dhunës etnike të marsit 2004

04/07/2008

PRISHTINË, Kosovë -- Në një raport titulluar "Katër vjet më pas" botuar të enjten (3 korrik) ,OSBE kritikoi gjyqësorin e Kosovës për trajtimin e rasteve të rrjedhura nga trazirat e marsit 2004. Raporti vinte në dukje vështirësitë e vazhdueshme në sigurimin e deklarimeve të dëshmitarëve, dështimin e përhapur gjerësisht për të dënuar keqbërësit e dyshuar dhe vonesat e gjata në procedime. Sipas raportit, gjykatat në shumë raste nuk morën parasysh motivin etnik si një faktor përkeqësues. Tim Guldman, kreu i misionit të OSBE vinte në duke se "Ato që janë bërë nuk mund të zhbëhen, por duhet të pasohen nga veprimi i duhur ligjor." Nëntëmbëdhjetë vetë u vranë dhe mbi 900 u plagosën në trazirat që shpërthyen anembanë Kosovës nga dy incidente të shtyra etnikisht.

Në lajme të tjera të enjten, presidenti Fatmir Sejdiu nënshkroi një dekret që ngre një ambasadë të Kosovës në Turqi. Ambasaat janë dekretuar në nëntë vende të tjera por nuk është e qartë se kur do të hapen tamam. (Kosovalive, Kosovapress, TurkishPress.com - 04/07/08; OSCE website, B92, Makfax - 03/07/08)

Parlamenti qipriot ratifikon Traktatin e Lisbonës

04/07/2008

NIKOSIA, Qipro -- Ligjebërësit ratifikuan të enjten (3 korrik) Traktatin e Lisbonës, dokumentin që rregullon punët e BE të zgjeruar. Me një votë 31 me 17, dhe një abstenim, Qiproja u bë vendi i 20-të anëtar i BE që ratifikon traktatin. Partia Komuniste qeverisëse votoi kundër ratifikimit duke argumentuar se shtetasit evropianë nuk kishin pjesëmarrjen e duhur në përgatitjen finale të traktatit. Për të hyrë në fuqi në 1 janar 2009, traktati duhet të ratifikohet nga të gjithë 27 vendet anëtare të BE. (Kathimerini, Cyprus Mail, Philelefteros - 04/07/08, CNA, ANA-MPA, Naftemporiki - 03/07/08)