17/03/2010
ANKARA, Turqi -- Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi të enjten se rreth 100,000 emigrantë të paligjshëm nga Armenia mund të ekstradohen nga vendi. "Janë rreth 170,000 armenë që jetojnë në vendin tonë. Nga ta, 70,000 janë shtetas turq dhe pjesa tjetër janë emigrantë të paligjshëm, që kanë qenë në territorin turk për mbi 10 vjet. Nëse gjendja vazhdon të zhvillohet kësisoj, do të na duhet që të rishikojmë qëndrimin tonë ndaj tyre," tha Erdogan në një intervistë me shërbimin turk të BBC. Deklarata erdhi pasi një komiteti i SHBA dhe Suedia miratuan kohët e fundit rezoluta për të shënuar si genocid vrasjen më 1915 të armenëve nga perandoria otomane.
Të martën, Kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt lëshoi një deklaratë ku shprehu keqardhjen e tij lidhur me vendimin e parlamentit për të miratuar dokumentin. "E informova Kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan të shtunën se më vjen keq për vendimin e Riksdag [parlamentit], pasi ai hap rrugën për politizimin e ngjarjeve historike. Shpreha gjithashtu shqetësimin tim se kjo mund të përdoret nga forca në Turqi që përpiqen të ndalin procesin e pajtimit me Armeninë dhe procesin e reformave në Turqi," tha Reinfeldt. Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt ka kritikuar gjithashtu veprimin e parlamentit. (Vatan, Hurriyet, Milliyet, Sabah, ITAR-TASS - 17/03/10; AFP - 16/03/10)