17/03/2010
ANKARA, Turqi -- Media vendase njoftoi të martën (16 mars) se një prokuror ka kërkuar 15 vjet burgim për secilin nga tre admiralët e dyshuar për komplotimin e një grushti shteti për të destabilizuar qeverinë e Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan. Admiralët janë pjesë e një grupi prej 33 të dyshuarish të përmendur në padi, ku përfshihen gjithashtu kolonelë dhe oficerë të tjerë të ushtrisë. Në janar, Turqia nisi një hetim ndaj një komploti të dyshuar, të koduar "Kafazi". Operacioni nisi pas një njoftimi në gazetën Taraf, që tha se komploti përfshiu provokimin e një konflikti me Greqinë në Detin Egje dhe sulme me bomba kundër xhamive më të preferuara të Stambollit. Këto veprime dyshohej se kishin për qëllim që të krijonin një përshtypje se qeveria nuk mund të garantojë sigurinë kombëtare dhe se duhet të përfshihej ushtria për të trajtuar kaosin. Çështja e Kafazit pritet të shkrihet me me një çështje tjetër të ngjashme, të quajtur Pojrazkoj, të premten nga Gjykata e 12-të e Stambollit për krimet e rëndë. Gjykata më parë i pranoi të dy çështjet veçmas. Pojrazkoj është e lidhur drejtpërsëdrejti me çështjen e rrjetit kriminal Ergenekon, që është duke hetuar një organizatë për përmbysjen e qeverisë. Prillin e kaluar u zbuluan municione që i përkisnin ushtrisë në qarkun Pojrazkoj të Stambollit. Prokurorët civilë kërkuan shkrirjen e çështjeve, që nga ana tjetër do t'i vinte të dy ato në lidhje me Ergenekon. Nëse padia e Kafazit shkrihet me çështjen Pojrazkoj të premten, analistët parashikojnë një valë të re arrestimesh gjatë ditëve të ardhshme. (Reuters, Sabah - 16/03/10)