30/11/2009
BUKURESHT, Rumani -- Gjykata e Apelit vendosi të premten (27 nëntor) se shkarkimi i Dan Nika si ministër i brendshëm ishte i paligjshëm, duke lënë përsëri pezull ministrinë. Gjykata kundërshtoi një dekret të Presidentit Trajan Bashesku të lëshuar dy muaj më parë që shkarkonte Nikën e Partisë Social Demokratike (PSD), gjë që shkaktoi një krizë politike. Nika u shkarkua për komentet që sugjeronin se mund të kishte mashtrime në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Partia e tij PSD u tërhoq nga qeveria dhe formoi një aleancë me Partinë Kombëtare Liberale, duke rrëzuar qeverinë e ish-Kryeministrit Emil Bok nëpërmjet një votimi mosbesimi.
Vendimi i gjykatës mund të apelohet, por koha është problematike, pasi ministria e brendshme është institucioni që organizon zgjedhjet e Rumanisë. Bashesku përballet me Mirçea Geoana të PSD në një balotazh për presidentin të dielën. Ministri i Brendshëm i tanishëm Vasile Blaga thotë se do të zbatojë vendimin e gjykatës dhe do të tërhiqet duke e lënë ministrinë në duart e dy sekretarëve të shtetit. Një komision teknik do të mbikqyrë zgjedhjet, i bashkërenduar nga Sekretari i Shtetit Mihai Kapra. (Nine o'clock, Evenimentul Zilei, Cotidianul - 30/11/09)