27/11/2009
ANKARA, Turqi -- BE i bëri thirrje Turqisë të enjten (26 tetor) që të hapë portet dhe aeroportet e saj për qipriotët grekë përpara takimit të nivelit të lartë të BE-së në dhjetor. Një trojkë e BE-së, e kryesuar nga Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt, u takua me Ministrin e Jashtëm turk Ahmet Davutoglu dhe krye-negociatorin e vendit për bisedimet e anëtarësimit në Bashkim Egemen Bagis, për të diskutuar në lidhje me përparimin e integrimit të Ankarasë. Turqia nuk ka pranuar të zbatojë plotësisht një pakt tregtar, që zgjeron bashkimin doganor Turqi-BE për të përfshirë Qipron, përderisa BE nuk përmbush premtimin e saj për të lehtësuar izolimin e qipriotëve turq. Davutoglu tha se problemi do të zgjidhej "jo duke ushtruar presion të një-anshëm mbi Turqinë, por duke gjetur një zgjidhje të përgjithshme, të drejtë dhe të qëndrueshme për konfliktin në Qipro."
Përpara takimit të nivelit të lartë të Këshillit të Europës muajin e ardhshëm, Presidenti qipriot Demetris Kristofias u ka dërguar një letër të gjithë shteteve anëtarë të BE-së, duke paralajmëruar se Qipro do të detyrohet të bllokojë kërkesën e Turqisë nëse Ankara nuk përmbush të gjithë angazhimet e saj në lidhje me Nikozia. (AFP, Xinhua, Anadolu news agency - 26/11/09)