25/11/2009
HAGE, Hollandë -- Gjyqi i kryetarit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshelj do të rinisë në gjykatën e OKB për krimet e luftës më 12 janar, tha gjykata të martën (24 nëntor). Procedimet u pezulluan në shkurt pasi një dëshmitar pretendoi se kishte marrë kërcënime nga Sheshelj, i cili është akuzuar për krime të luftës ndaj jo-serbëve në Kroaci, Vojvodinë dhe Bosnjë dhe Herzegovinë midis 1991 dhe 1993.
Në lajme të tjera, kreu i këshillit të Serbisë për bashkëpunimin me gjykatën e OKB, Rasim Ljajiç tha të martën se arrestimi i mbështetësve të ish-komandantit serb boshnjak Ratko Mlladiç ishte një gabim. Ai shpjegoi se këta mbështetës mund të kishin shpënë autoritetet tek i kërkuari. Prokurori i krimeve të luftës Vladimir Vukçeviç shprehu një opinion të ngjashëm në një intervistë me Vecernje Novosti të martën. Ljajiç vuri në dukje se se arrestimet u bënë në një përpjekje për të provuar bashkëpunimin e Serbisë me gjykatën.
Më vete të martën, qeveria zgjodhi Miodrag Majiç, kryetar të Gjykatës së Parë Bashkiake të Beogradit, për të përfaqësuar Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë gjatë seancave muajin e ardhshëm mbi ligjishmërinë e pavarësisë së Kosovës. (Beta, Danas, RTS - 24/11/09)