12/11/2009
NIKOZIA, Qipro -- Qipriotët turq dhe grekë reaguan me maturi të mërkurën (11 nëntor) ndaj ofertës së Britanisë për të dorëzuar mbi gjysmën e territorit sovran të saj në Qipro, si një nxitje për të ribashkuar ishullin e ndarë prej kohësh. Zyra e OKB në Nikozia thotë se Londra është gati të japë deri në 117 km katror mbështetur në dy kushte: udhëheqësit e bashkësive turke dhe greke të përcaktojnë një plan për të ribashkuar ishullin nëpërmjet bisedimeve dhe pastaj të sigurojnë mbështetjen e popullsive që jetojnë në veri dhe jug me referendume zyrtarë nga të dy palët. "Nuk e kemi diskutuar këtë mes nesh. Kështu që nuk është e mundur të bëhet një vlerësim i zgjeruar," tha udhëheqësi qipriot turk Mehmet Ali Talat. Ministri i Jashtëm qipriot Markos Qiprianu tha se "ajo çfarë Britania mund të bëjë nëse do që të ndihmojë këtë proces në mënyrë të efektshme është që të shtrijë ndikimin dhe të inkurajojë Turqinë për të qënë më ndihmuese."
Më vete të mërkurën, Qiprianu tha se bllokimi i kërkesës së Turqisë për në BE në takimin e nivelit të lartë të muajit të ardhshëm të udhëheqësve të BE nuk do të jetë në interes të Qipros. "Natyrisht, kjo nuk do të thotë se do të ndodhë pa kushte dhe pa asnjë kufizim. Kjo është vija e ndershme që synojmë të arrijmë në dhjetor," tha Qiprianu gjatë një vizite një ditore në Athinë. (Reuters, AP, AFP - 11/11/09)