11/11/2009
BRUKSEL, Belgjikë -- Tensionet midis qeverisë shqiptare dhe opozitës së Partisë Socialiste (PS) mbërritën në Bruksel të martën (10 nëntor) ku një delegacion nga Tirana po njoftonte mbi çështjet lidhur me liberalizimin e procesit të vizave të Shqipërisë dhe integrimin europian. Ministri i Jashtëm Ilir Meta paraqiti reformat e ndërmarra nga qeveria dhe përgatitjet për përfundimin e një pyetësori lidhur me procesin e pranimit të vendit në BE. "Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj lidhur me liberalizimin e vizave me BE dhe do të forcojë bashkëpunimin me Parlamentin Europian," tha Meta pas takimit me Nikolaos Kountis, raportues për Shqipërinë.
Meta shtoi se qeveria do të përmbushë kërkesat e opozitës për deri sa ato nuk ndërhyjnë në vendimet e gjykatës apo pavarësinë e gjyqësorit. Në fakt, kjo do të thotë kundërshtim për kërkesën e PS për të hapur kutitë e diskutueshme të votave nga zgjedhjet e përgjithshme të qershorit. Sekretarja e PS Arta Dade, e cila ishte në Bruksel, këmbënguli se nuk ka ligj kundër hetimit të rezultateve të zgjedhjeve. Ligjvënësit e PS kanë bojkotuar seancat e parlamentit me javë duke kërkuar një hetim tërësor të zgjedhjeve.
Më vete të martën, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha i kërkoi policisë që të rrisë përpjekjet me qëllim që të përmbushë kriteret e liberalizimit të vizave të vëna nga BE. Gjatë një takimi me zyrtarët e lartë të policisë, ai njoftoi vazhdimësinë e reformave që kanë për qëllim rezultate më të mira në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve financiarë. (NOA, Shekulli, BBC, Top Channel, Telegrafi, Klan, Alsat - 10/11/09)