19/10/2009
SHKUP, Maqedoni/PRISHTINE, Kosovë -- Maqedonia dhe Kosova kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, njoftuan të dielën (18 tetor) ministritë e jashtme të të dy vendeve. Sipas një komunikate të përbashkët, të nënshkruar të shtunën nga Ministri i Jashtëm Antonio Milososki në Shkup dhe homologu i tij kosovar Skënder Hyseni në Prishtinë, të dy vendet angazhohen që të rrisin marrëdhëniet miqësore mbi bazën e respektit të ndërsjelltë të sovranitetit të tyre kombëtar, pavarësisë dhe integritetit territorial.
Marrëdhëniet diplomatike u vendosën pasi parlamentet në Shkup dhe Prishtinë ratifikuan një marrëveshje të shënimit të kufirit të shtunën. Kjo i dha fund një mosmarrëveshjeje tetë-vjeçare lidhur me rajonin e përdorur nga luftëtarët shqiptarë për të nisur sulme gjatë rebelimit shqiptar në Maqedoni më 2001. Ajo erdhi pas muaj bisedimesh nën patronazhin e BE dhe Shteteve të Bashkuara. Maqedonia e njohu pavarësinë e Kosovës një vit më parë.
Në Beograd, Sekretari i Përgjithshëm për Kosovën Oliver Ivanoviç e minimizoi marrëveshjen e kufirit duke thënë se Maqedonisë në fund të fundit do t'i duhet ta diskutojë këtë çështje me Serbinë. Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç e përshkroi atë si goditje për marrëdhëniet serbo-maqedonase. (Koha Ditore, VoA, Kosova Sot, RTK, Kohavision, A1, MIA, Sitel, Makfax, AP, Beta, B92 - 18/10/09)