23/07/2009
BEOGRAD, Serbi -- Komisioneri i Zgjerimit të BE Olli Rehn risiguroi të mërkurën (22 korrik) zyrtarët serbë se Komisoni Europian (KE) është i vendosur për të sjellë Serbinë në BE sapo vendi të përmbushë detyrimet ndaj gjykatës së krimeve të luftës të OKB. Pas një takimi me Presidentin Boris Tadiç, Rehn shtoi se Serbia duhet të thellojë bashkëpunimin rajonal. Tadiç, nga ana e tij, e përshkroi anëtarësimin në BE si qëllimin më të rëndësishëm strategjik të Serbisë. Ai i tha Rehn se Beogradi do të zbatojë reformat e kërkuara nga BE dhe do të përpiqet të përmbushë kushtet e mbetur me qëllim që të përfshihet në rregjimin pa viza që nga janari i ardhshëm.
Nga Beogradi, Rehn udhëtoi në Podgoricë ku dha një pyetësor mbi reformat demokratike dhe zbatimin e marrëveshjes së Stabilizimit dhe Shoqërimit midis BE dhe Malit të Zi. Podgorica duhet t'u përgjigjet më shumë se 2,100 pyetjeve. Mbështetur në këto përgjigje, BE do të vlerësojë gatishmërinë e Malit të Zi për anëtarësimin.
Kryeministri Milo Gjukanoviç e quajti këtë moment vendimtar për Malin e Zi. Ai do të takohet me Presidentin e KE Hoze Manuel Barroso dhe Zëvendës/Presidentin e KE Zhak Barro të enjten në Bruksel për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit europian të vendit. Mali i Zi shpreson të përftojë statusin e kandidatit vitin e ardhshëm dhe të fillojë bisedimet e pranimit deri më 2011. (Tanjug, RTCG, Mina - 23/07/09; RTS, Tanjug, B92, Beta, RTCG, DPA, AFP - 22/07/09)