03/07/2009
PRISHTINE, Kosovë -- Kryeministri Hashim Thaçi tha të enjten (2 korrik) se sistemi gjyqësor i brishtë në Kosovë është një pengesë në luftën kundër korrupsionit. Ai zhvilloi një konferencë për shtyp për t'iu përgjigjur raportit më të fundit nga vëzhguesi i demokracisë Freedom House, të botuar të martën. Ai e përshkroi gjyqësorin si një nga hallkat më e dobta në rendin e së drejtës në Kosovë. "Pavarësisht prej përmirësimeve në legjislacion, ekziston një mungesë e përgjithshme e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin," paralajmëroi raporti. Thaçi e mirëpriti analizën, duke thënë se ishte raporti më pozitiv mbi Kosovën deri më tani, sepse lavdëroi vendin e ri për përmirësimin e qeverisjes vendore dhe kombëtare.
Gjithashtu të enjten, gjatë një debati në Prishtinë të quajtur "Gjyqësori Tradicional në Kosovë", pjesëmarrësit thanë se reformat janë thelbësore për krijimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe demokratike, ku rendi i së drejtës dhe drejtësia respektohen. Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Knut Vollebak tha se organizata e tij është e gatshme të ndihmojë procesin e reformës. Ai shtoi se komunikimi ndërmjet bashkësive është vendimtar për suksesin në Kosovë.
Kreu i Sektorit të Drejtësisë të EULEX Alberto Perduça tha se për vendet në tranzicion, është thelbësore që të ndiqen penalisht ata që kanë kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Ai shtoi se gjatë muajve të fundit, Zyra e Prokurorisë së Posatçme e Kosovës ka trajtuar 63 raste të krimeve të luftës. (Kosova Sot, Zeri, Express, Lajm - 03/07/09; RTK, TV 21 - 02/07/09)