13/05/2009
SOFJE, Bullgari -- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar përpjekjet për të rritur pragun që koalicionet duhet të përmbushin për të fituar vende në parlament, njoftuan të martën (12 maj) ligjvënësit Ognjan Gerdzhikov dhe Georgi Bliznashki. Ndryshimet e fundit të ligjeve zgjedhorë kishin dyfishuar këtë prag nga 4% në 8%. Veprimi nga Gjykata Kushtetuese do të thotë se pragu do të kthehet në 4% për të gjitha partitë dhe koalicionet.
Në lajme të tjera të martën, Komisioni Europian çliroi zyrtarisht 115 milionë euro të fondeve të bllokuara në kuadrin e programit të Instrumentit për Politikat Strukturore të Parapranimit (ISPA). Veprimi ishte si reagim ndaj autoritetet bullgarë që demonstruan një shkallë më të lartë kontrolli dhe respektim më të mirë të rregullave të BE.
Gjithashtu të martën, kampioni botëror bullgar i patinazhit artistik në akull, Maksim Straviski, u dënua me pesë vjet me kusht për një aksident me makinë në gjendje të dehur më 2007 që la një person të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Ky dënim, dhënë nga Gjykata e Lartë e Kasacionit, zëvendëson një dënim të mëparshëm me dy vjet burg. (Sega, 24 Chasa, Trud - 13/05/09; AP, AFP, Darik, Dnevnik, BTA, BGNES - 12/05/09)