06/01/2009
TIRANË, Shqipëri -- Ministria e jashtme u kërkoi të hënën (5 janar) shqiptarëve etnikë në Kosovë të rrinë të qetë dhe të "shmangin provokimet", pas dhunës së fundjavës në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës, Kosovë. Në një deklaratë, ministria thoshte se kishte besim se KFOR, Shërbimi Policor i Kosovës dhe misioni EULEX i BE janë "të aftë t'i përgjigjen çdo kërcënimi ndaj sigurisë së Kosovës". Partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS) dënoi gjithashtu dhunën në Mitrovicë. Sekretarja e PS për marrëdhëniet me jashtë, Arta Dade tha" "Pakica serbe duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj evropiane është në shtetin e Kosovës."
Më vete të hënën, presidenti serb Boris Tadiç i kërkoi OKB dhe BE të forcojnë masat që garantojnë sigurinë e serbëve që jetojnë në Kosovë, duke i përshkruar ata si pjesën më "vulnerabël" të popullsisë atje. Ai akuzoi gjithashtu forcat ndërkombëtare për mos reagimin siç duhet ndaj serisë së fundit të incidenteve në veri të Kosovës. Në notën e tij për Këshillin e Sigurimit të OKB, sekretarin e përgjithshëm të OKB Ban Ki-mun dhe presidencën çeke të BE, Tadiç thoshte: "Unë këmbëngul se përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar duhet të ngrenë nivelin e sigurisë, gjë që është përgjegjësia e tyre dhe duhet të pengojnë sulmet kundër serbëve." (AFP, Klan, Alsat, Top Channel, Top News, RTS, Beta, B92 - 05/01/09)