02/12/2008
BERLIN, Gjermani -- Zëvendësi i zëdhënësit qeveritar Thomas Steg mohoi të hënën (1 dhjetor) raportet se Gjermania mund të presë ndihmën e saj financiare për Kosovën. Berlini thuhet se konsideroi masën pasi policia e Kosovës arrestoi tre agjentë të Agjensisë Federale të Inteligjencës së Gjermanisë në Kosovë muajin e shkuar dhe i mbajti ata për dy javë lidhur me një sulm ndaj Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë. Të tre ata ngulmonin se qenë të pafajshëm. Policia i liroi më së fundi për mungesë provash. Ndërsa Steg mohoi se do të vinte një reduktim ndihme, ai pranoi se Berlini ka ndërmend të inspektojë se si i përdor Kosova fondet gjermane që merr ndërkaq. Berlini do t'i përdorë gjetjet e veta për të përcaktuar kontributin e mëvonshëm. Gjermania është donatori i dytë më i madh i Kosovës.
Në lajme të tjera të hënën, policia arrestoi nëntë roje në burgun e Dubravës dhe autoritetet pezulluan 18 të tjerë në lidhje me një ikje të hapur të një të burgosuri. Bedri Karsniqi kryente një dënim prej 27 vitesh burg për vrasjen në 2002 të dy policëve. Autoritetet thonë se ai iku nga burgu nëpërmjet derës kryesore të dielën pasi hëngri drekë me të afërmit e tij. Ikja e tij mbeti e paraportuar për dhjetë orë.
Më vete të hënën, një panel gjykatësish në komunën e Pejës dënoi 21 vetë, duke përfshirë të burgosur, në lidhje me një ikje në grup nga burgu më i madh në Kosovë. Kjo ndodhi në gusht të vitit 2007; shtatë të burgosur arritën të ikin. Dy mbeten në kërkim, por autoritetet vranë dy të tjerë në Maqedoni. (Deutsche Welle, DPA, Koha Ditore, Express, Lajm, Zeri - 02/12/08)