14/10/2008
NJU JORK, Shtetet e Bashkuara -- Presidenti i gjykatës së OKB-së për krimet e luftës Franko Pokar doli të hënën ( 13 tetor) përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duke kërkuar arrestimin e menjëhershëm të të kërkurarve të profilit të lartë Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç. Në një fjalim në Nju Jork, Pokar theksoi se të gjithë anëtarët e OKB-së duhet të bashkëpunojnë me gjykatën duke arrestuar të kërkuarit dhe duke ofruar dokumente, akses ndaj dëshmitarëve dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Pokar vlerësoi Serbinë për arrestimet e ish kreut serb boshnjak Radovan Karaxhiç në korrik dhe ish komandantit të policisë serbe boshnjake Stojan Zupljanin në qershor. "Megjithatë, ne nuk mund ta kryejmë me sukses punën tonë në qoftë se dy të kërkurit e fundit nuk arrestohen menjëherë," tha ai.
Në Beograd, kreu i komitetit kombëtar të Serbisë për lidhjet me gjykatën, Rasim Ljajiç, i tha së përditshmes Danas se "veprimtaritë vërtet mbi bazë ditore" po kryehen për të gjetur Mlladiç dhe Haxhiç. Ljajiç i përshkroi përpjekjet si "një garë me kohën" duke pasur parasysh vizitën e kryeprokurorit të gjykatës së Hagës Serge Bramertz muajin tjetër. (AP, Tanjug, BTA- 14/10/08; FoNet, Danas, B92 - 13/10/08)