Karaxhiç refuzon të bëjë vetëdeklarimin e fajit

29/08/2008

HAGË, Hollandë -- Ish udhëheqësi serb boshnjak Radovan Karaxhiç refuzoi të premten (29 gusht) të bëjë një vetëdeklarim faji në gjykatën e krimeve të luftës të OKB-së, ku ai ndeshet me akuzat që rrjedhin nga lufta e 1992-1995 në Bosnje. Në përputhje me rregullat e gjykatës, gjykatësit futën një mospranim faji në emër të tij.

Kjo ishte dalja e dytë e Karaxhiç në gjykatë. Në dëgjimin e parë, në 31 korrik, ai refuzoi gjithashtu të vetëshpallë fajin duke sfiduar në vend të kësaj legjitimitetin e gjykatës. Ai ndeshet me 11 akuza duke përfshirë genocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krime të luftës, megjithëse gjykata po pret të dëgjojë në se prokurorët do të amendojnë padinë. Gjyqi i tij pritet të nisë vitin tjetër.

Javën e shkuar, presidenti i ICTY Fausto Pokar e zhvendosi rastin e Karaxhiç nga Dhoma Gjyqësore Një në Dhomën Gjyqësore Tre e cila kryesohet nga gjykatësi xhamajkan Patrik Robinson. Masa erdhi dy ditë pasi Karaxhiç i dërgoi një letër Pokar ku kërkonte ndërrimin e gjykatësve. Ai pretendoi se gjykatësi hollandez Alfons Orie i cili kryeson Dhomën Gjyqësore Një, është anëmbajtës dhe nuk mund të garantojë një gjykim të ndershëm. Të tre gjykatësit që dëgjuan rastin e Karaxhiçit të premten janë Robinson, gjykatësi britanik Ian Bonomi dhe gjykatësja frënge Mishelë Pikard. Bonomi qe caktuar të mbikqyrte procedimet para-gjyqësore. (BBC, Reuters, AFP, Deutsche Welle, VOA, Xinhua - 29/08/08, B92, RTS, Tanjug - 28/08/08)