24/07/2008
BEOGRAD, Serbi -- Presidenti Boris Tadiç tha të enjten (24 korrik) se arrestimi i ish kreut serb boshnjak Radovan Karaxhiç përkonte me ligjet e Serbisë dhe rregullat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. "Përcaktimi dhe arrestimi...është rezultat i vendosmërisë së qeverisë së re për të shpënë në drejtësi çdo individ që ka kryer krime në territorin e ish Jugosllavisë," sipas një deklarimi nga zyra e tij, e para që nga arrestimi i Karaxhiçit të hënën. Tadiç shtoi se gjykata e krimeve të luftës duhet të procedonte të paditurit pa paragjykim dhe pavarësisht nga "emri, mbiemrat, kombësia dhe përkatësia fetare e tyre".
Ndërkohë, protestat ultranacionaliste kundër arrestimit të Karaxhiçit vazhduan në Beograd të mërkurën. Me qindra vetë u mblodhën në qendër të kryeqytetit, duke brohoritur emrin e tij dhe parulla kundër qeverisë së re pro-evropiane. Një prani e fortë policore mbikqyri tubimin. Demonstruesit hodhën gurë mbi policinë e cila nuk u përgjegj. Anëtarët e Partisë Radikale Serbe po bëjnë thirrje për protesta të qeta për çdo ditë.
Ndërkohë, The Daily Telegraph raporton se informacioni i dhënë nga ish komandanti serb boshnjak dhe shoku i tij i krimeve të luftës Ratko Mlladiç shpuri në arrestimin e Karaxhiç. Gazeta britanike thotë se Ratko Mlladiç e shiti Karaxhiçin nja dy muaj më parë për të shpëtuar veten. Burimet presin arrestimin e tij brenda dy javëve të ardhshme dhe thonë se ai do të kërkojë një gjyq në Serbi dhe jo në Hagë. (Tanjug, RIA Novosti, B92 - 24/07/08; Blic, Tanjug, Beta, Daily Telegraph, AP, MIA, AFP, RTRS, SRNA, RIA Novosti - 23/07/08)