23/07/2008
PRISHTINË, Kosovë -- Shefi i UNMIK Lamberto Zanier nis një raund të diplomacisë së ec-e-jakeve të mërkurën (23 korrik) në Beograd në një orvatje për të kapërcyer kundërshtimin e Serbisë ndaj administratës civile ndërkombëtare në Kosovë. Zëdhënësi i UNMIK Russell Geekie tha se Zanier "mezi pret të nisë dialogun" mbi çështjet e përshkruara në letrat e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun presidentit serb Boris Tadiç dhe presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu. Në këto letra Ban thoshte se Zanier do të diskutonte një numër çështjesh duke përfshirë futjen e serbëve në disa institucione të Kosovës.
Duke vizituar Brukselin të mërkurën, ndihmësi i sekretarit të shtetit të SHBA Daniel Fried tha se Uashingtoni do që komuniteti ndërkombëtar të rimarrë kontrollin mbi Kosovën e veriut, të cilën ai e quajti një "zonë pa ligj", duke shtuar se "Duhet të ketë një prani në veri. Ne nuk mund të lejojmë situatën në Kosovë të endet më kot."
Në lajme të tjera, ministri i Kosovës për qeverinë lokale Sadri Ferati tha të martën se mungesa e bashkëpunimit midis qeverisë dhe serbëve të Kosovës mund të pengojë procesin e decentralizimit. "Ne do tëpunojmë mbi... procesin por në qoftë se serbët rezistojnë dhe kërkojnë më shumë kohë, kjo do të jetë vetëm një kohë e shkuar dëm," i tha Ferati Radio Free Europe. (Koha ditore, Zeri, Express, Tanjug, B92, Beta, RTS, Xinhua - 23/07/08; Telegrafi, Radio Free Europe, AFP - 22/07/08)