23/07/2008
BEOGRAD, Serbi -- Qindra përkrahës ultra-nacionalistë të ish kreut serb boshnjak Radovan Karaxhiç u mblodhën në rrugët e Beogradit të martën vonë (22 korrik) për të protestuar arrestimin e heroit të tyre. Protestuesit qenë kryesisht tifozë të rinj futbolli dhe aktivistë nga grupi ultra-nacionalist Obraz. Demonstruesit qëlluan policët e ardhur në skenë, me pishtarë dhe karrige nga një kafene aty pranë. Policia bëri një numër arrestimesh; gjashtë vetë morën plagë në përleshje. Demonstruesit u shpërndanë vetëm pasi Aleksander Vuçiç i Partisë Radikale Serbe falenderoi turmën për "dashurinë për Serbinë".
Ndërkohë, krerët nga i gjithë Ballkani vazhduan të përshëndesin arrestimin duke thënë se ai sinjalizon se qeveria e re e Serbisë është gati të bashkëpunojë me gjykatën e Hagës, një parakusht i madh për pranimin në BE.
Karaxhiç, i akuzuar me genocidin e 8,000 muslimanëve në Srebrenicë në korrik 1995 dhe vdekjen e rreth 12,000 vetëve si rezultat i bllokadës tre-vjeçare të Sarajevës, u arrestua të hënën pas 13 vjet në arrati. The Financial Times raportoi të mërkurën se shërbimet e posaçme britanike dhe të SHBA morën pjesë në operacionin e kërkimit. (Vecernje Novosti, Studio B, Kommersant, Utrinski Vesnik, Financial Times - 23/07/08; Reuters - 22/07/08)
Në lajme të tjera, avokatja e Karaxhiç, Sveta Vujaçiç, tha të mërkurën se i dyshuari për krime lufte ka në plan të mbrohet vetë. Bujaçiç tha se megjithëse Karaxhiç ka në plan të pajtojë një ekip ekspertësh ligjorë, ai ka ndërmend të mbrohet vetë në gjykatën e OKB-së, ashtu siç bëri presidenti i vdekur serb Slobodan Millosheviç. Karaxhiç do të bëjë gjithashtu një apel kundër ekstradimit të tij në Hagë përpara afatit përfundimtar të së premtes, tha avokatja. (Vecernje Novosti, Studio B, Kommersant, Utrinski Vesnik, Financial Times - 23/07/08; Reuters - 22/07/08)