DS dhe LDP të Serbisë nënshkruajnë marrëveshjen mbi integrimin në BE

17/07/2008

BEOGRAD, Serbi -- Grupet parlamentare të Partisë Demokratike (DS) dhe Partisë Liberal Demokratike (LDP) nënshkruan një marrëveshje të mërkurën (16 korrik) për të ofruar mbështetje për politikat dhe legjislacionin e integrimit në BE. Marrëveshja do të aplikohet veçanërisht ndaj reformave gjyqësore dhe projektiligjit mbi komunikacionet si dhe mbi atë të sigurimit kombëtar. LDP njoftoi kjo nuk do të thoshte domosdoshmërisht lidhje më të afërta ndër-partiake pasi ajo ende i mban inat DS për rënien dakord të bashkëpunojë me Partinë Socialiste Serbe. LDP megjithatë, mund të japë mbështetje ndaj disa nismave ligjore, ndoshta edhe ndaj qëndrimit të vendit mbi Kosovën.

Në lajme të tjera të mërkurën, ministri i jashtëm Vuk Jeremiç u takua në Paris me homologun e tij frëng Bernard Kushner. Ata shprehën qëndrime të dallueshme mbi Kosovën por thanë se të dy duan ta shohin Serbinë si pjesë të familjes së BE. Kushner i përshkroi bisedimet si "të gjata, të qarta dhe të sinqerta". (B92, Beta, Blic, Tanjug, AFP - 16/07/08)