Këshilli i qytetit i Beogradit verifikon mandatet e anëtarëve, nuk arrin të zgjedhë kryetarin

15/07/2008

BEOGRAD, Serbi -- Këshilli i qytetit të Beogradit verifikoi të hënën (14 korrik) mandatet e të gjithë 110 anëtarëve të rinj dhe miratoi axhendën e sesionit të tij të parë pas dy orvatjeve të dështuara. Por sesioni formues përfundoi pa zgjedhur një kryebashkiak, një sekretar të asamblesë apo deputetëve. Anëtarët e Partisë Radikale Serbe (SRS) dhe të koalicionit Partia Demokratike e Serbisë - Serbia e Re (DSS-NS) dolën jashtë nga sesioni pasi shpërthyen debatet rreth procedurës së votimit dhe axhendës së propozuar. Anëtari i Partisë Demokratike (DS) Branislav Beliç që kryesonte sesionin si anëtari më i moshuar i asamblesë, ndali sesionin sapo nuk ishte më shumica e pranishme për të zgjedhur kryebashkiakun e ardhshëm të Beogradit. Të dielën, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) njoftoi se po linte një koalicion me SRS dhe DSS-NS në Beograd, duke prishur një marrëveshje të nënshkruar pas zgjedhjeve të 11 majit. DSS dhe SRS po kërkojnë për zgjedhje të reja lokale në Beograd. (Danas - 15/07/08; RTS, Beta, Tanjug, B92 - 14/07/08)