14/07/2008
ANKARA, Turqi -- Partia qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP) ka në plan të transferojë ligjbërësit e vet në një tjetër parti në qoftë se Gjykata Kushtetuese përfundon duke ndaluar AKP për veprimtarinë e pretenduar anti-sekulare, raportoi media lokale të dielën (13 korrik). Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan thuhet se ra dakord me këtë opsion me Tuna Bekleviç, kreu i Partisë së Turqisë së Fortë (GTP). Kryeprokurori Abdurrahman Jalçinkaja ngriti një padi kundër AKP në mars duke kërkuar ndalimin e partisë dhe të 70 zyrtarëve të lartë të saj.
Në lajme të tjera, kryeprokurori i Stambollit Ajkut Çengiz Engin, ngriti një padi të hënën për 85 të dyshuar mbajtur në paraburgim në lidhje me hetimin e Ergenekon. Grupi ultra nacionalist sekularist pretendohet se komplotonte një grusht-shteti. Padia akuzon se anëtarët e tij formuan një qelizë terroriste që planifikonte të niste një fushatë destabilizimi me qëllim që të përmbyste qeverinë pro-islamike. Gjykata do të miratojë ose kthejë padinë brenda dy javësh. (Zaman, Hurryiet, Sabah - 14/07/08, Hurryiet, Kanal D, Zaman, Sabah, Turkish Press - 13/07/08)