Maqedonia dhe Kosova nisin zyrtarisht shënimin e kufirit

01/07/2008

SHKUP, Maqedoni -- Maqedonia dhe Kosova vunë një shenjë trekëndëshi të hënën (30 qershor) për të shënuar nisjen zyrtare të shënimit të kufirit të tyre të ndërsjelltë 150 km të gjatë. Kufiri verior i Maqedonisë nuk ka qenë kurrë i shënuar zyrtarisht qëkur ish republika jugosllave shpalli pavarësinë në 1991. Maqedonia dhe Kosova formuan një komitet të përbashkët mbi çështjen në mars, shpejt pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Shënimi vazhdon gjatë verës me ritëm në vartësi të kushteve të motit në terrenin malor, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme maqedonase Vasko Andonovski. Ai shtoi se punëtorët shënuan 12 km të hënën.

Në lajme të tjera të hënën, Pieter Feith, kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë theksoi rëndësinë e misionit policor e gjyqësor të BE EULEX të vendosur anembanë Kosovës. Feith, i cili mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin Fatmir Sejdiu pas një takimi të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën , tha se shpreson se EULEX do të vendoset shpejt në veriun e mbizotëruar nga serbët por refuzoi të jepte një kuadër kohor. Ai përsëriti gjithashtu se përsa i përket komunitetit ndërkombëtar, paralmenti serb i sapo krijuar në Kosovën veriore "nuk ka efekt ligjor".

Ndërkohë, një sondazh i ri nga OSBE gjen se KFOR është institucioni më i besuar në Kosovë, pasuar nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Të përgjigjurit shprehën mosbesimin më të madh për gjyqësorin. Anketuesit e kryen sondazhin në fund të vitit të kaluar , përpara se Kosova të shpallte pavarësinë. (Kirilica, MIA, Makfax, A1 TV, AP, B92, INA, Xinhua - 30/06/08)