Rehn thotë se negociatat e pranimit të Kroacisë në BE mund të mbyllen në 2009

25/06/2008

BRUKSEL, Belgjikë -- Komisioneri i zgjerimit Olli Rehn tha të martën (24 qershor) se Kroacia mund të përfundojë negociatat e saj të pranimit me BE në vjeshtën e 2009. Duke folur në një konferencë politikash të quajtur "Një Pasqyrë e Balancuar Ballkanike", Rehn përsëriti se vota "jo" së fundmi e Irlandës gjatë një referendumi mbi Traktatin e Lisbonës nuk do të cënonte procesin negociues. Ai shtoi se do të kishte mjaft kohë për të zgjidhur deri atëhere krizën institucionale të BE. Franca, e cila merr presidencën e rradhës së BE në 1 korrik ka thënë se qëllimi i saj do të ishte të hapeshin të gjithë kapitujt negociues dhe të mbylleshin sa më shumë të mundshëm, duke hapur rrugën për kompletimin e bisedimeve vitin tjetër.

Në atë takim në Bruksel, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vuri në dukje se një qeveri pro-perëndimore në Serbi do të kishte një ndikim pozitiv mbi vendin e tij të ri. "Sa më pranë të jetë Serbia me BE, aq më pranë do të vinë serbët e Kosovës ndaj Prishtinës," tha Thaçi. Konferenca u ndoq gjithashtu nga kryeministrat e Malit të Zi dhe Shqipërisë. (Koha Ditore, Zeri - 25/06/08; Telegrafi, RTK, HRT, EU website, AbHaber - 24/06/08)