Qeveria e Kosovës përgatitet për piketën e 15 qershorit

16/05/2008

PRISHTINË, Kosovë -- Kryeministri Hashim Thaçi u tha ministrave të tij të enjten (15 maj) se kabineti është një muaj larg për qeverisjen e gjithë Kosovës, duke përfshirë veriun e mbizotëruar nga serbët. 'Ne jemi pranë 15 qershorit, kur kushtetuta e Republikës së Kosovës do të nisë të zbatohet dhe natyrisht ne do të vazhdojmë me funksionimin normal dhe të efektshëm të institucioneve të shtetit të Kosovës anembanë territorit të vet," tha Thaçi. Pas 15 qershorit, UNMIK ka në plan t'i dorëzojë përgjegjësitë e veta institucioneve lokale. Disa kompetenca në sektorët e gjyqësorit dhe policisë do t'i transferohen EULEX, misionit të BE në Kosovë.

Ndërkohë, komandanti i forcave të bashkuara të NATO-s, admirali Mark Fitxherald vizitoi veriun e qytetit të Mitrovicës të enjten. Pas 15 qershorit "KFOR do të nisë të pakësojë trupat e veta pasi të kompletohet transferimi i pushtetit dhe pasi të vendosen struktura të tjera sigurie," tha ai, duke shtuar se mandati i KFOR nuk do të ndryshojë pasi ai rrjedh nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e OKB-së.

Më vete të enjten, nënkryeministri Hajredin Kuqi e përshkroi si "të paarsyeshme" një kërkesë nga Moska që nxit të gjithë vendet që kanë njohur Kosovën, ta rikonsiderojnë vendimin e tyre. "Njohja e Kosovës është në udhën e duhur dhe Prishtina po pret për njohjen nga qeveria ruse gjithashtu," tha Kuqi. (Koha Ditore, Express, Zeri - 16/05/08; RTK, KTV, Telegrafi, Kosovalive - 15/05/08)