13/12/2007
BRUKSEL, Belgjikë -- Caktuar për të marrë presidencën e rradhës së BE në 1 janar, Sllovenia thuhet se ka hartuar një plan për pavarësinë e Kosovës dhe reagimin e Evropës ndaj saj. Sipas raporteve të medias të mërkurën (12 dhjetor) plani parashikon që Kosova ta deklarojë veten një shtet të pavarur në dy muajt e parë të vitit 2008, ndoshta në fund të shkurtit, gjë që do të njihet nga Britania, Franca, Italia dhe Gjermania brenda 48 orësh. Në një rregullim të orkestruar me kujdes, Shtetet e Bashkuara do të njoftojnë njohjen e vet zyrtare të Kosovës menjëherë më pas, për t'u ndjekur menjëherë nga Zvicra, Islanda dhe Norvegjia dhe pastaj një grup vendesh përfshirë Turqinë, Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Slloveninë. Anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike pritet gjithashtu ta njohin shtetin e ri pa vonesë. Sllovenia do të donte që ministrat e jashtëm të BE të lëshonin një deklaratë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës për të hapur rrugë për vendosjen e një misioni administrativ, gjyqësor e policor të BE. Plani i Sllovenisë është ende për t'u miratuar nga anëtarët e BE, disa nga të cilët nuk kanë qejf të shohin shkëputjen e Kosovës. (Xinhua - 13/12/07; International Herald Tribune, Reuters, DW, DPA, AP, AFP - 11/12/07)