27/09/2006
TIRANË, Shqipëri -- Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Donald Rumsfeld vizitoi të martën (26 shtator) Malin e Zi dhe Shqipërinë për të diskutuar operacionet ushtarake me të dy vendet dhe luftën globale ndaj terrorit. Në Podgoricë, Kryeministri Milo Gjukanoviç e siguroi atë se Mali i Zi ishte "i përgatitur të marrë pjesë në koalicionin e drejtuar nga SHBA në luftimin e kërcënimit terrorist ndaj paqes globale." Nga ana e tij, Rumsfeld premtoi ndihmën e SHBA në reformimin e forcave të armatosura të Malit të Zi si edhe mbështetjen për ofertën e vendit ballkanik për t'u bashkuar me NATO.
Në Tiranë, Rumsfeld mori sigurime nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Fatmir Mediu se Shqipëria do të mbajë njësinë e vet ushtarake në Irak deri në fund të operacionit atje. Të mërkurën, Rumsfeld mori pjesë në konferencën vjetore të ministrave të mbrojtjes të vendeve të Evropës Juglindore, pritur nga Tirana. (Pobjeda, Vijesti, Albanian News - 27/09/06; AFP, Reuters, AP, Albanian President's website, Xinhua - 26/09/06)