26/07/2006
BEOGRAD, Serbi -- Ministri i Brendshëm Dragan Joçiç deklaroi të martën (25 korrik) se zbatimi i planit të veprimit të qeverisë për bashkëpunimin me gjykatën e OKB-së ka filluar dhe një grup pune do të formohet në fund të kësaj jave. Joçiç deklaroi se ministri i financës ka rezervuar mbi 574,000 euro si fonde shtesë për ndjekjen e krimeve të luftës. Ai përsëriti se Serbia është e detyruar të zgjidhë çështjen e të arratisurit Ratko Mlladiç dhe të mbylli kapitullin "në interes të shtetit dhe të popullit".
Presidenti rumun Trajan Bashesku përsëriti të njëjtin mendim gjatë një takimi në Bukuresht me homologun serb Boris Tadiç. Bashesku theksoi se Rumania mbështet plotësisht përpjekjet e Serbisë për të zgjidhur çështjen Mlladiç pasi kjo do e shpjerë Serbinë më afër BE-së. Ai dhe Tadiç diskutuan gjithashtu çështjen e statusit të Kosovës dhe ranë dakort se një zgjidhje duhet të arrihet nëpërmjet dialogut dhe jo të imponohet. (Blic, Adevarul - 26/07/06; Tanjug, RTS, Beta, Mediafax, Rompres - 25/07/06)