Macedonian Information Agency, EUBusiness, RFE/RL
Zgjedhjet lokale të Maqedonisë në mars dhe prill 2005 qenë konsideruar gjerësisht një test për stabilitetin politik të vendit teksa ai përgatitet të shkojë përpara në udhën e pranimit në BE. Votimi u bë në mënyrë paqësore dhe kryeministri i vendit Vlado Buçkovski e përshëndeti procesin si një “model” për të ardhmen.
Vëzhguesit ndërkombëtarë përgëzuan gjithashtu sjelljen paqësore në zgjedhje por thanë se kishte prova të parregullsive gjatë të tre raundeve.
Sipas vëzhguesve të OSBE, ato përfshinin votimin në grup, mbushjen me fletë të kutive të votimit, vota të vjedhura, frikësim dhe shkelje të intimitetit të votuesit. Organizata kritikoi autoritetet për mosmarrjen siç duhet me problemet, duke vënë në dukje se parregullsi të ngjashme, shpesh në të njëjtat vende, qenë vëzhguar gjatë të tre raundeve.
Tetëmbëdhjetë kryetarë bashkish u zgjodhën gjatë raundit të parë të votimit, ndërsa 47 të tjerë bënë garë në raundin e dytë në 27 mars. Përveç kësaj, rivotimi ose shtyrja e votimit u bë në 19 komuna, plus qytetin e Shkupit, në 10 prill.
Në përgjithësi, 36 gara kryetarësh bashkie u fituan nga koalicioni qeverisës Së Bashku Për Maqedoninë, me Bashkimin Demokratik për Integrimin, parti shqiptare, një partner i koalicionit, që fitoi 15. Opozita VMRO-DPMNE fitoi 21. Partia VMRO e Popullit fitoi 3 vende kryetarësh bashkie, Partia Demokratike e Shqiptarëve, 2 dhe Aleanca Rome Maqedonase 1. Shtatë gara u fituan nga kryetarët e bashkive të mbështetur nga një bllok votuesish.
Në garën për qytetin e Shkupit, Trifun Kostovski fitoi 92,207 vota, duke mundur Risto Penov, kandidatin e koalicionit të kryesuar nga SDSM, i cili mori 26,052 vota.