Burimi: OSBE, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova kryesoi në zgjedhjet e asamblesë së krahinës në 23 tetor por nuk arriti të fitonte një shumicë të drejtpërdrejtë. Për pasojë, partia u detyrua të kërkonte partnerë për një koalicion qeverisës. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj do të bëhet kryeministri i ardhshëm sipas një marrëveshjeje të arritur me LDK.
Për shkak të gabimeve në llogaritjen e votave, Komisioni Qendror Zgjedhoir urdhëroi një rinumërim. Rezultatet përfundimtare të lëshuara të mërkurën (3 nëntor) treguan se LDK fitoi 45.42 përqind të votave dhe do të ketë 47 vende përfaqësuese në asamblenë 120 vendëshe të krahinës, në të cilën 20 vende janë rezervuar për përfaqësuesit e pakicave të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit doli e dyta me 28.9 përqind të votave duke marrë 30 vende parlamentare, katër më shumë se në zgjedhjet e vitit 2001.
AAK përfundoi e treta me 8.4 përqind të votave, duke fituar 9 vende. ORA, një parti e re e themeluar nga botuesi dhe gazetari Veton Surroi, doli e katërta me 6.23 përqind të votave dhe 7 vende parlamentare. Gjithsej gjashtë parti të tjera shqiptare të Kosovës fituan shtatë vendet e mbetura nga 100 vendet multi-etnike në asamble.
Dymbëdhjetë njësi kishin të drejtë të konkurronin për 20 vendet e hequra mënjanë për pakicat e Kosovës, thuhej në deklaratën e OSBE të mërkurën. Nga dhjetë vendet për përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, tetë janë marrë nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë dhe dy nga Nisma Qytetare e Serbisë. Njësia boshnjake Vakat ka marrë tre vende, duke përfshirë 2 vende të lëna mënjanë. SDA ka marrë vendet e tjera lënë mënjanë për komunitetin boshnjak.
Partia turke, Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) fitoi gjithsej tre vende duke përfshirë edhe dy vendet e hequra mënjanë për komunitetin e saj.
Nisma e Re Demokratike e Kosovës (IRDK) ka marrë dy nga katër vendet e rezervuar për komunitetet e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, ndërsa Partia Demokratike Ashkali e Kosovës (PDAK) dhe Partia e Bashkuar Rome e Kosovës (PREBK) fituan secila nga një vend.
Një vend i goranëve u fitua nga Nisma e Qytetarëve të Gorës (GIG).
Pjesëmarrja sipas rezultateve përfundimtare ishte 53.57 përqind. Rreth 660,000 nga 1.3 milion votues të regjistruar morën pjesë në votim. Megjithatë, pjesëmarrja e komunitetit serb të Kosovës ishte më pak se 1 përqind. Shumica e votuesve të mundshëm të grupit refuzoi të hedhë votën pas thirrjeve për bojkotim nga Kryeministri serb Vojislav Koshtunica, zyrtarë të tjerë të Beogradit dhe krerët e kishës ortodokse serbe.