Mihai
Ghimpu
Presidenti i përkohshëm, Moldavia
(RFE/RL -- 28/07/09 - 28/09/10; EurActiv - 06/09/10, 11/09/09; BBC; Official Website of the Moldova Presidency)
Vetëm dy javë pasi u zgjodh kryetar i parlamentit, udhëheqësi i Partisë Liberale (PL) Mihai Ghimpu u bë gjithashtu presidenti i përkohëshëm i Moldavisë më 11 shtator 2009. Ai pasoi Vladimir Voronin, që dha dorëheqjen në të njëjtën ditë, pasi një qëndrimi prej tetë vjetësh si president, duke përmendur humbjen e Partisë Komuniste (PCRM) të tij në zgjedhjet e përgjithshme të 29 korrikut.
Lindur më 19 nëntor 1951, në fshatin Kolonita, në lidhje të Kisinaut, Ghimpu u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Moldavisë më 1978.
Deri më 1990, ai punoi në detyra të ndryshme, përfshirë si kryetar i departamentit ligjor të sipërmarrjeve të ndryshme shtetërore në Kisinau dhe si një gjyqtar në gjykatën e qarkut në kryeqytet.
Ndërkohë, ai u bë një bashkë-themelues dhe kryetar i komitetit ekzekutiv të një lëvizje demokratike, e quajtur Fronti Popullor i Moldavisë, më 1988.
Ghimpu shërbeu si një anëtar i parlamentit nga 1990 deri më 1998. Ai ishte pjesë e delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit të Detit të Zi nga 1993 deri më 1994. Gjatë mandatit të dytë katër vjeçar të tij, ai ishte një anëtar i delegacionit parlamentar moldavian në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Më 1993, Ghimpu u bë një nga bashkë-themeluesit e Kongresit të Intelektualëve dhe zëvendës/kryetari dhe sekretari ekzekutiv i tij.
Ai ndihmoi në procesin e formimit të PL-së, të cilën e ka kryesuar që më 1998.
Ghimpu u zgjodh në këshillin bashkiak të Kisinaut më 2007 dhe e kryesoi atë deri më 2008.
Partia në pushtet PCRM fitoi zgjedhjet parlamentare të 5 prillit 2009 me mbështetje të fortë nga votuesit në fshat. Komunistët e Voroninit morën pothuajse 50% të votave, duke u dhënë atyre 60 nga 101 vendet në legjislaturën me një dhomë të vendit. Vendet e mbetur u ndanë mes tre grupeve të tjerë -- PL e Ghimput, Partia Liberal Demokratike (PLDM) dhe Aleanca Moldavia Jonë (AMN) -- që gjithashtu kapërcyen pragun prej 4% për të hyrë në asamble. Zgjedhjet u dëmtuan nga akuzat e mashtrimit, që shkaktuan protesta të dhunshme nga votuesit e rinj në qytete, që kundërshtonin rezultatin e tyre.
Përfundimisht, komunistët nuk arritën që të sigurojnë 61 votat në parlament të kërkuara për kandidaten e tyre, Zinaida Greceanu, që të zgjidhej presidente dhe të pasonte Voronin, që nuk lejohej të kërkonte një mandat të tretë pasues.
Si rezultat, asambleja u shpërnda në qershor dhe zgjedhjet e parakohshme u zhvilluan më 29 korrik 2009, në të cilën PCRM fitoi vetëm 48 vende parlamentarë. Katër partitë e opozitës që morrën kontrollin e 53 vendeve të mbetur -- PLDM, PL, Partia Demokratike (PD) dhe AMN -- ranë dakort në gusht që të formojnë një koalicion qeveritar jo-komunist, të quajtur Aleanca për Integrimin Europian (AIE).
Shpesh i përshkruar si një nga "dritat drejtuese" brenda bllokut pro-europian, Ghimpu u zgjodh kryetar i parlamentit më 28 gusht 2009, kur njoftoi vendimin e AIE-së për t'ia dhënë detyrën presidenciale PD-se dhe atë të kryeministrit PLDM-së.
Në fillim të shtatorit në të njëjtin vit, Ghimpu mohoi spekullimet se do të nxiste për një bashkim Moldavi-Rumani, pavarësisht nga bindja personale e tij se të dy duhet të jenë një vend. Ai tha se do të përqëndrohet kryesisht në përpjekjet që synojnë sjelljen e Moldavisë më pranë BE-së dhe bindjen e Rusisë për të tërhequr forcat e saj nga rajoni separatist Transdniester i vendit të tij.
Në përputhje me Kushtetutën moldave, Ghimpu mori detyrat e Voroninit pas dorëheqjes së tij më 11 shtator 2009. Sipas ligjit, kryetari e mban atë detyrë derisa të zgjidhet një president i ri.
Kandidati i AIE-së për funksionin, udhëheqësi i PD-së Marian Lupu, megjithatë u mbështet vetëm nga 53 ligjvënësit e Aleancës në pushtet në dy raundet e votimit në nëntor dhe dhjetor 2009. Komunistët i bojkotuan të dy raundet.
Në një përpjekje për t'i dhënë fund bllokimit politik, koalicioni pro-europian me katër parti më pas inicioi një referendum më 5 shtator 2010, duke pyetur nëse presidenti i Moldavisë duhet të zgjedhet nga populli dhe jo nga parlamenti. Veprimi dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët.
Në fund të shtatorit, Ghimpu e shpërndau asamblenë, duke caktuar zgjedhje parlamentare të parakohshme për më 28 nëntor 2010.
Ghimpu flet rusisht dhe rumanisht. Ai është i martuar.