Reçep Tajip Erdogan

Kryeministër i Republikës së Turqisë

(Faqja në ueb e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Enciklopedia e Lindjes; Reuters - 15/03/03; BBC, Reuters, CNN - 14/03/03; BBC - 12/03/03; FT - 04/11/02)
photo

Reçep Tajip Erdogan u bë Kryeministër i Turqisë më 14 mars 2003, pesë ditë pasi fitoi në zgjedhjet e përsëritura në provincën Siirt. Udhëheqës i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Erdogan mori kontrollin e funksionit të Kryeministrit nga zëvendëskryetari i partisë së tij, Abdullah Gul, i cili kryesoi qeverinë pas fitores së përgjithshme të AKP-së në zgjedhjet e nëntorit 2002.

Erdogan lindi në Rize në Turqinë veriore më 26 shkurt 1954. Ai u zhvendos me familjen e tij në Stamboll më 1967, ku më vonë u diplomua në Kolegjin e Biznesit të Universitetit të Marmarasë me gradë në administrim.

Erdogan u zgjodh për një mandat katër-vjeçar si kryetar i bashkisë së Stambollit më 1994, si kandidat nga Partia e Mirëqënies e Neçmetin Erbakanit. Si kryetar i bashkisë, Erdogan u vlerësua nga publiku për përmirësimin e shërbimeve, si dhe për bërjen e qytetit më të gjelbër dhe më të pastër. Gjykata Kushtetuese e ndaloi Partinë e Mirëqënies më 1998 dhe Erdogan u bashkua me Partinë e Virtutit, e cila u shfaq nga hiri i parardhëses së saj të nxjerrë jashtë ligjit. Më vonë atë vit, një gjykatë e shpalli atë fajtor për nxitje të urrejtjes fetare dhe e dënoi me dhjetë muaj burgim, prej të cilëve ai vuajti katër muaj më 1999.

Më 2001, Partia e Virtutit u ndalua gjithashtu për shkelje të ligjeve laike dhe Erdogan formoi AKP-në në gusht 2001 për t’a udhëhequr atë në triumfin në zgjedhjet e nëntorit 2002.

Megjithëse Erdogan ishte politikani më i admiruar në Turqi në kohën e zgjedhjeve, ai prej kushtetutës ishte ndaluar të kandidonte për funksione publike dhe kështu që nuk mund të fitonte vendin e nevojshëm në parlament në mënyrë që të bëhej Kryeministër. Duke fituar pothuajse 35 përqind të votave, AKP ishte në gjendje të formonte një qeveri të saj, si dhe të arrinte një shumicë të sigurtë parlamentare. Pak pas krijimit të legjislaturës, ligjvënësit e AKP-së e ndryshuan kushtetutën, duke i hapur rrugë Erdoganit për në vendin e Kryeministrit.

Duke reaguar ndaj shqetësimeve brenda dhe jashtë Turqisë se ardhja në pushtet e një partie me rrënjë islamike mund të paraqesë një kërcënim ndaj autoritetit laik, Erdogan dhe udhëheqësit e tjerë të partisë këmbëngulën se AKP nuk kishte asnjë program të fshehtë fetar dhe mbështetën një program konservativ pro-Perëndimor. Erdogan e identifikoi pranimin e Turqisë në BE si një përparësi kryesore, duke premtuar reforma për t’a bërë Turqinë më demokratike dhe pluraliste dhe për t’a çuar atë në harmoni me kriteret e anëtarësimit të Bashkimit. Ai gjithashtu premtoi angazhim ndaj një programi të rreptë të mbështetur nga FMN për trajtimin e krizës ekonomike që goditi Turqinë më 2001.

Dy ditë pasi Erdogan fitoi vendin e tij parlamentar, Gul dha dorëheqjen për të hapur rrugën për udhëheqësin e AKP-së, i cili tashmë konsiderohej gjerësisht si udhëheqësi i vërtetë i vendit.

Presidenti turk Ahmet Neçdet Sezer miratoi qeverinë e re të propozuar nga Erdogan dhe e emëroi atë Kryeministër.

Erdogan është i martuar dhe ka katër fëmijë.

thumbnail
Erion Zena (djathtas) u kthye në shtëpi në Kosovë të mërkurën (15 tetor) nga një kamp terrorist në Siri. [AFP]
thumbnail
Në qoftë se nisma është e suksesëshme, nxënësit serbë mund të merrnin kurse të gjuhës turke në klasën e pestë. [AFP]
thumbnail
Anëtarët e ekipit akademik në Universitetin Trakya duke u fotografuar gjatë ceremonisë së nënshkrimit të themelimit të S
//map
Më shumë lajme tokësore

Flamuri i Turqisë

Harta e Turqisë

Bio turke