![]() |
Kalin Popesku Tariceanu bëri betimin si Kryeministër i Rumanisë më 29 dhjetor 2004, një ditë pasi qeveria e aleancës së qendrës së djathtë e propozuar prej tij u miratua nga parlamenti i vendit. Ai zëvendësoi Adrian Nastase të Partisë Social-Demokratike në këtë funksion.
Lindur më 14 janar 1952, Tariceanu u diplomua në Institutin e Inxhinierisë Civile në Bukuresht dhe ka një diplomë master në Informatikë dhe Matematikë nga Universiteti i Bukureshtit.
Nga viti 1976 deri më 1979, Tariceanu shërbeu si inxhinier në Administratën Kombëtare të Ujrave në departamentin e qarkut Arges dhe në një ndërmarrje ndërtimi në Bukuresht. Ndërmjet vitit 1980 dhe 1991, ai ishte profesor në Fakultetin e Hidroteknikës në Bukuresht.
Më 1990, themeloi Radion Kontakt, rrjeti i parë privat radiofonik në Rumani. Dy vjet më vonë, u bë administrator i përgjithshëm i Radio Kontakt Rumania, duke shërbyer në këtë funksion deri më 1996.
Më 1994, Tariceanu u bë anëtar themelues i Shoqatës së Prodhuesve e Importuesve të Automobilëve dhe shërbeu si kryetar i saj deri më 1997. Ai u rizgjodh në këtë funksion më 2001.
Tariceanu hyri në politikë menjëherë pas rrëzimit të komunizmit në Rumani, duke u bërë anëtar themelues i Partisë Nacional-Liberale (PNL), kur ajo u krijua në fillim të viteve 1990. Ai shërbeu si sekretar ekzekutiv i partisë deri më 1992 dhe si anëtar i asamblesë kushtetuese të saj në parlament. Më 1993, Tariceanu u zgjodh zëvendëskryetar i PNL-së dhe ka qënë anëtar i parlamentit që më 1996.
Tariceanu shërbeu si zëvendëskryeministër dhe ministër i industrisë dhe tregtisë në qeverinë e ish-Kryeministrit Viktor Çiorbea nga viti 1996 deri më 1997, kur filloi ristrukturimi i sektorit minerar të Rumanisë. Ristrukturimi i sektorit të naftës të Rumanisë dhe Ndërmarrjes Kombëtare Elektrike Rumune janë mes arritjeve të tjera që i atribohen Tariceanut.
Më 2003, PNL formoi Aleancën Drejtësia dhe e Vërteta me Partinë Demokratike të Traian Basheskut. Tariceanu ishte administrator i fushatës së aleancës për zgjedhjet lokale në qershor 2004.
Në fillim të tetorit 2004, kur Teodor Stolojan dha dorëheqjen si kryetar i PNL-së, Tariceanu mori përsipër funksionin e kryetarit të përkohshëm të partisë dhe bashkë-kryetar i Aleancës Drejtësia dhe e Vërteta. Ai u zgjodh anëtar i parlamentit më 28 nëntor 2004.
Pas fitores së balotazhit presidencial kundër Nastases më 12 dhjetor 2004, Bashesku i kërkoi Tariceanut që të formojë qeverinë e ardhshme të vendit.
Duke paraqitur programin e qeverisë së tij në parlament, Tariceanu premtoi të luftojë korrupsionin dhe varfërinë dhe të zbatojë reformat që nevojiten për hyrjen e vendit të tij në BE më 2007. Hapi i parë që ndërmorri qeveria e tij ishte ulja e taksave mbi të ardhurat dhe taksat për ndërmarrjet në një nivel prej 16 përqind, në një përpjekje për të kufizuar ekonominë e zezë të vendit dhe për të inkurajuar investimet e drejtpërdrejta të huaja.
Tariceanu është i martuar dhe ka dy fëmijë.