![]() |
Havier Solana, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Bashkimit Europian/përfaqësues i lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e Përbashkët dhe sekretar i përgjithshëm i Bashkimit Europian Perëndimor, lindi në Madrid, Spanjë më 1942. Biri i një familjeje të shquar spanjolle, Solana mori një doktoraturë në fizikë dhe ishte student i Fullbrajtit në disa universitete amerikane. Ai dha lëndën e fizikës së gjendjes së ngurtë në Universitetin Complutence të Madridit përpara se të hynte në politikë.
Solana, i cili u bashkua me Partinë Socialiste spanjolle më 1964, ishte njohur si radikal në rininë e tij, nën regjimin e Gjeneral Fransisko Franko. Fizikanti u zgjodh anëtar i parlamentit më 1977 dhe prej vitit 1982 ai mbajti një numër vendesh në qeveri, përfshirë ministrin e kulturës, zëdhënësin e qeverisë dhe ministër të arsimit dhe shkencës. Në korrik 1992 ai u bë ministër i punëve të jashtme në një qeveri besnike pro-NATO-s në Madrid, një vend të cilin ai e mbajti derisa u bë sekretar i përgjithshëm i NATO-s në dhjetor 1999.
Qëndrimi i Solanës në krye të kësaj organizate përfshin një periudhë të angazhimit intensiv të NATO-s në Ballkan. Brenda disa ditësh që kishte marrë detyrën e re, Forca e Vënies në Zbatim e udhëhequr nga NATO (IFOR) u pozicionua në Bosnje për të përforcuar aspektet ushtarake të marrëveshjeve të paqes së Dejtonit. Gjatë krizës në Kosovë, NATO drejtoi sulmet ajrore kundër Jugosllavisë në pranverë të 1999-tës.
Aleksandër Vershbou, ambasadori amerikan pranë NATO-s, tha për Solanën në atë kohë, “Ai është një ndërtues i jashtëzakonshëm i paqes, i cili punon prapa skenave me udhëheqësit e të dyja anëve të Atlantikut, për të siguruar që NATO të jetë e bashkuar atëherë kur duhet.”
Në tetor 1999, Solana u largua prej NATO-s për t'u bërë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Bashkimit Europian dhe i pari “përfaqësues i lartë” për politikën e jashtme dhe sigurinë e përbashkët. Detyra e tij është të paraqesë ide dhe të analizojë variante të politikës, duke u përpjekur të ndihmojë udhëheqësit e BE-së të bien dakort në lidhje me çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke lejuar kështu që Bashkimi të ketë më shumë peshë politike në çështjet ndërkombëtare.
Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.