![]() |
Këshilli i Atlantikut Verior emëroi Ministrin e Jashtëm hollandez Jap de Hop Shefer si sekretar të përgjithshëm të NATO-s dhe kryetar të Këshillit më 22 shtator 2003. De Hop Shefer e filloi detyrën e tij më 1 janar 2004, duke pasuar Lordin Xhorxh Robertson nga Britania. Ai është hollandezi i tretë që drejton Aleancën në historinë e saj 54-vjeçare.
De Hop Shefer lindi në Amsterdam më 3 prill 1948. Ai u diplomua për drejtësi në Leiden University më 1974. Gjatë dy viteve që pasuan kreu shërbimin ushtarak në Forcën Ajrore Mbretërore të Hollandës dhe u lirua si oficer në rezervë.
Ai filloi punë në Ministrinë hollandeze të Punëve të Jashtme më 1976, duke kryer detyra të ndryshme gjatë shërbimit të tij diplomatik prej dhjetë vjetësh. Ai shërbeu si sekretar në Ambasadën hollandeze në Akra, Gana, nga 1976 deri më 1978 dhe më pas u vendos në Delegacionin e Përhershëm në NATO në Bruksel, ku ishte përgjegjës për çështjet në lidhje me planifikimin e mbrojtjes. Pas përfundimit të detyrës së tij më 1980, de Hop Shefer shërbeu si Sekretar Privat për katër ministra të jashtëm njëri pas tjetrit deri më 1986.
Në zgjedhjet parlamentare hollandeze në qershor 1986, de Hop Shefer u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve në rradhët e Aleancës Kristiane Demokratike (CDA) dhe u be zëdhënësi i partisë në lidhje me politikën e jashtme në këtë dhomë. Ai ishte gjithashtu anëtar i komiteteve të përhershëm të parlamentit për drejtësinë, çështjet europiane dhe mbrojtjen dhe nga 1989 deri më 1994 ishte kryetar i komitetit të përhershëm mbi bashkëpunimin për zhvillimin.
Nga 1986 deri më 1994, de Hop Shefer ishte anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian Perëndimor. Gjatë tre viteve që pasuan ishte anëtar i Asamblesë së Atlantikut Verior.
Pasi shërbeu për pothuajse dy vjet si zëvendëskryetar i CDA-së, de Hop Shefer mori kryesinë e partisë më 1997. Ai dha dorëheqjen nga kjo detyrë në tetor 2001 dhe u pasua nga Jan Peter Balkenende. Pas fitores së CDA-së në zgjedhjet e majit 2002, de Hop Shefer u emërua Ministër i Jashtëm.
Duke përshëndetur emërimin e de Hop Shefer si pasues të tij, Lordi Robertson tha se ai vjen në këtë detyrë në një kohë të shndërrimit rrënjësor të NATO-s ndërsa ajo përpiqet t'i përshtatet mjedisit të ri të sigurisë. De Hop Shefer është "personi i duhur për të siguruar që NATO të mbetet aleanca më e suksesshme e mbrojtjes në botë", tha Robertson.
De Hop Shefer flet rrjedhshëm frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht. Ai është i martuar dhe është baba i dy vajzave.