Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Oli Rehn

Komisioneri për Zgjerimin e BE-së

(Faqja zyrtare e internetit e Komisionit Europian; Faqja zyrtare e internetit e Qeverisë së Finlandës; Wikipedia.org; AFP)
photo

Oli Rehn mori detyrën si Komisioner për Zgjerimin e BE-së më 22 nëntor 2004, katër ditë pasi Parlamenti Europian (PE) miratoi ekipin prej 24 anëtarësh të Presidentit të ri të Komisionit Europian Hose Manuel Barroso. Duke përfaqësuar Finlandën në komisionin ekzekutiv të BE-së, ai zëvendësoi Guenter Verheugen të Gjermanisë në këtë funksion.

Rehn lindi më 31 mars 1962, në Mikeli, Finlandë. Nga viti 1982 deri më 1983 studjoi për ekonomi, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gazetari në Kolegjin Macalester në Saint Paul, Minesota. U diplomua me gradën master në shkencat politike në Universitetin e Helsinkit dhe me gradën doktor në Universitetin e Oksfordit më 1996.

Karriera politike e Rehn filloi më 1987, kur u bë kryetar i degës së të rinjve të Partisë së Qendrës të Finlandës, duke qëndruar në atë funksion deri më 1980. Më 1988, u bë Zëvendëskryetar i Partisë së Qendrës dhe këshilltar i qytetit të Helsinkit, duke shërbyer në të dy funksionet deri më 1994. Rehn ishte anëtar i Parlamentit finlandez nga viti 1991 deri më 1995; në të njëjtën kohë, kryesoi delegacionin finlandez në Këshillin e Europës. Ndërmjet viteve 1992 dhe 1993 gjithashtu shërbeu si këshilltar i posaçëm pranë Kryeministrit Esko Aho.

Nga viti 1995 deri më 1996, Rehn ishte anëtar i Parlamentit Europian dhe për disa muaj kryesoi grupin liberal të tij. Ai ishte zëvendëspresident i Lëvizjes Europiane të Finlandës nga viti 1996 deri më 1998. Në të njëjtin vit, kryesoi zyrën e Erki Likanen, përfaqësuesi finlandez në ekipin e dikurshëm të Presidentit të KE-së Romano Prodi prej 19 komisionerësh dhe shërbeu në atë funksion deri në vitin 2002.

Më 2002, Rehn u bë profesor dhe drejtor i studimeve në Departamentin e Shkencës Politike dhe Qendrës për Studime Europiane të Universitetit të Helsinkit. Ai u largua nga universiteti më 2003 për të shërbyer si këshilltar i politikës ekonomike pranë Kryeministrit finlandez Mati Vanhanen. Nga 12 korrik deri më 31 tetor 2004, Rehn shërbeu si Komisioner për Sipërmarrjen dhe Shoqërinë e Informacionit të BE-së, duke përfunduar mandatin e Likanenit.

Në gusht 2004, Rehn u emërua komisioner për zgjerimin në ekipin e Barrosos. Megjithatë një mosmarrëveshje në lidhje me kandidatin e Italisë për komisionerin e drejtësisë, Roko Butilione, çoi në një shtyrje të zgjedhjes dhe PE me shumicë dërrmuese miratoi ekipin e riorganizuar më 18 nëntor 2004.

Gjatë mandatit të tij katër-vjeçar, i cili përfundon më 31 tetor 2009, Rehn do të mbikqyrë zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit, ndërsa Bullgaria dhe Rumania janë planifikuar të pranohen më 2007. Ai gjithashtu do të kryesojë bisedimet mbi pranimin me Kroacinë dhe Turqinë, që pritet të fillojnë më 2005, si dhe mbikqyrjen e vazhdueshme të përparimit përpara pranimit të vendeve të tjera të Ballkanit që aspirojnë për anëtarësim në BE.

Duke iu drejtuar komitetit të punëve të jashtme të PE më 18 janar 2005, Rehn u shpreh se asnjërit prej vendeve që kërkojnë të bëhen pjesë e Bashkimit nuk do t’u jepet anëtarësimi në se nuk janë të përgatitur plotësisht për të. Ai gjithashtu bëri të qartë se vendet e përfshirë në konfliktet në Ballkan në vitet 1990 duhet të tregojnë bashkëpunim të plotë me gjykaten e OKB-së për krimet e luftës në Hagë në se dëshirojnë të ecin përpara në rrugën e tyre për në BE.

Rehn është i martuar dhe ka një vajzë.