![]() |
Diplomati sllovak Miroslav Lajcak morri detyrën e përfaqësuesit të lartë të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Bosnje-Hercegovinë më 1 korrik, 2007.
Lajcak është lindur më 20 mars 1963 në Poprad, Sllovakia. Ai zotëron një diplomë në juridik nga Universiteti Commenius i Bratislavës dhe ka studiuar marrëdhënie ndërkombëtare në Instutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë. Ai është diplomuar gjithashtu në Qendrën Evropiane Xhorxh C Marshall për Studime në fushën e sigurisë, në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani.
Lajcak filloi karrierën e tij në vitin 1988, kur ai filloi punë në Ministrinë e Jashtme të Çekosllovakisë -- rreth pesë vite para ndarjes paqësore të vendit midis Republikës Çeke dhe Sllovake më 1 janar 1993. Detyra e tij e parë jashtë shtetit e çoi në Moskë në vitin 1991. Ai punoi në ambasadën e Çekosllovakisë dhe mbas janarit të vitit 1993 në ambasadën sllovake në kryeqytetin rus.
Nga viti 1993 deri në vitin 1994, Lajcak shërbeu si shef kabineti i ministrit të jashtëm Jozef Moravcik. Moravcik u bë më vonë kryeministër i vendit. Në vitin 1994, Lajcak morri detyrën e tij si ambasador i Sllovakisë në Japoni, duke shërbyer në atë post deri në vitin 1998.
Nga viti 1998 deri në vitin 2001, ai punoi si shefi i kabinetit të ministrit të jashtëm sllovak Eduard Kukan -- ai shërbeu gjithashtu si një ndihmës asistent i Kukan në kapacitetin e tij si i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Ballkanin.
Në vitin 2001, Lajcak u dërgua në Beograd si ambasadori i Sllovakisë në Republikën Federale të Jugosllavisë (më vonë në Serbi dhe Mali i Zi), Shqipëri dhe Maqedoni. Lajcak luajti një rol thelbësor në vëzhgimin e referendumit të pavarësisë në Malin e Zi më 21 Maj, 2006, kur punoi si përfaqësuesi personal i shefit të politikës së jashtme të BE-së Havier Solana. Ai ishte shumë i përfshirë në procesin disa mujor të përgatitjes së plebishitit, duke punuar si ndërmjetësues në një debat të brendshëm midis partive qeverisëse dhe atyre opozitare.
Diplomati sllovak u zgjodh për detyrë e të dërguarit të lartë të komunitetit ndërkombëtar në BH -- i gjashti që kur u krijua ky post nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit e vitit 1995 -- në kohën kur ai po shërbente si drejtor i përgjithshëm i çështjeve politike në ministrinë e jashtme të vendit të tij.
Ai e merr këtë detyrë nga gjermani Kristian Zhvarc-Shiling, i cili pritej të ishte përfaqësuesi i lartë i fundit në BH. "Unë dua të ndërtoj mbi themelet që janë krijuar gjatë 12 viteve të zbatimit të paqes dhe të punoj së bashku me drejtuesit e Bosnje-Hercegovinës për ta drejtuar këtë vend vendosmërisht në rrugën drejt BE-së," deklaroi diplomati sllovak pasi morri detyrën e tij të re.
Lajcak zotëron gjuhën angleze, gjermane, ruse dhe bullgare, po ashtu gjuhën boshnjake, kroate dhe serbe.
Ai është i martuar dhe ka dy vajza.