![]() |
Parlamenti kroat miratoi Jadranka Kosor në 6 korrik 2009, si kryeministria e parë e një vendi në Ballkan, pesë ditë mbas dorëheqjes surprizë nga detyra e Ivo Sanader. Në 4 korrik, Kosor zëvendësoi gjithashtu Sanader si kryetare e partisë qeverisëse Bashkimi Kroat Demokratik (HDZ).
E lindur në 1 korrik 1953 në qytetin e Pakrac në perëndim të Kroacisë, Kosor përfundoi studimet e saja të mesme në qytetin e afërt të Lipik. Ajo përfundoi një diplomë në drejtësi nga Fakulteti i Drejtësisë në Zagreb, kur ajo u bë një gazetare e medias së shkruar dhe radios në vitin 1972.
Gjatë konfliktit të viteve 1991-1995, Kosor punoi me Radion Kroate, duke realizuar një shfaqje radiofonike për refugjatët.
Ajo hyri në politikë në vitin 1995, kur ajo u zgjodh një anëtare e parlamentit dhe zëvendës-presidente e Dhomës së Përfaqësuesve, duke ju përgjigjur ftesës së të ndjerit president Franjo Tuxhman për t'ju bashkuar HDZ. Nga viti 1998 deri në 2002, Kosor drejtoi shoqatën e grave të partisë konservatore "Katarina Zrinski".
Në kuvendin e përgjithshëm të HDZ në vitin 2002, Kosor u zgjodh zëvendës-presidente e partisë nën Sanader.
Mbasi HDZ fitoi zgjedhjet e përgjithshme në nëntor të 2003, Kosor u caktua zëvendës-kryeministre dhe ministre përgjegjëse për çështjet e familjes dhe veteranëve.
Në 2005, ajo kandidoi për presidencën e Kroacisë por u mund gjatë zgjedhjeve të balotazhit nga shefi i vendit në detyrë Stipe Mesiç.
Sanader u tërhoq gati tre muaj mbas hyrjes në NATO të Kroacisë në 4 prill 2009, midis vuajtjeve të thella ekonomike dhe bllokimit të bisedimeve të aderimit në BE për shkak të konfliktit të pazgjidhur të vendit me fqinjin Slloveni.
Duke folur para parlamentit para se ta votonte si kryeministre në 6 korrik 2009, Kosor premtoi se do të vazhdonte politikat e paraardhësit të saj. Duke premtuar se do të drejtonte qeverinë me një "dorë të fortë femre", ajo përmendi rikuperimin ekonomik dhe përpjekjet për të çbllokuar procesin e aderimit të vendit në BE si dy nga prioritetet e saja më të mëdha.
"Kroacia do të bëhet një anëtare me të drejta të plota e familjes evropiane ... pavarësisht pikëpamjeve dritëshkurtëra historike të fqinjëve tanë verior," tha Kosor duke ju referuar Sllovenisë.
Ajo flet rrjedhshëm gjuhën angleze.
Një mama vetëm, Kosor është autorja e dy librave me poezi dhe dy mbi çështjet e lidhura me luftën e viteve 1991-1995 në Kroaci.