Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Milorad Dodik

Kryeministër, Republika Serbska, Bosnjë dhe Hercegovinë

(FENA - 08/03/06; Forumi Europian për Demokracinë dhe solidaritetin - 02/03/06; RFE/RL, FENA, Faqja zyrtare e qeverisë së Republikës Serbska - 28/02/06; Rulers.org)
photo

Milorad Dodik. [Getty Images]

Milorad Dodik, kryetari i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), u bë kryeministër i Republikës Serbska (RS) në 28 shkurt 2006, duke zënë këtë vend për herë të dytë në karierën e tij. Parlamenti i RS e zgjodhi atë mbas një muaji pasi votoi kundër qeverisë së Partisë Serbe Demokrate të kryesuar nga Pero Bukejloviç.

Dodik lindi në 1959 në Banja Luka. Ai u diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme politike dhe administrative që nga viti 1986.

Ai ishte kryetari i bordit ekzekutiv të asamblesë lokale në Laktasi nga viti 1986 më 1990. Në zgjedhjet e para shumëpartiake në ish Jugosllavinë, të mbajtura në 1990, Dodik u zgjodh anëtar i parlamentit të BiH. Gjatë konfliktit të viteve 1992-1995 në BiH ai ju kundërvu SDS në Asamblenë Kombëtare të RS. Mbas përfundimit të konfliktit ai themeloi SNSD dhe që atëhere ka mbajtur funksionin e presidentit.

Dodik kreu mandatin e tij të parë si kryeministri i entitetit nga 1998 në 2001.

Dhjetë ditë pasi qeveria e Bukejloviçit u largua në 26 janar 2006, presidenti i RS Dragan Kaviç i kërkoi Dodik të formonte qeverinë e re të entitetit, e cila përfshin 16 ministri – tetë serbe, pesë boshnjake dhe tre kroate. Parlamenti i RS aprovoi Dodik si kryeministër në 28 shkurt.

Kryetari i SNSD përmendi zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritetet kryesore për qeverinë e tij.

“Qëllimi ynë është që t’i bëjmë institucionet e RS më të forta, të rifitojmë besimin e qytetarëve në këto institucione, dhe të tregojmë që ato janë të afta të luftojnë dhunën ekonomike dhe sociale” tha Dodik.

Duke theksuar nevojën e plotësimit të angazhimeve të BiH për bashkëpunim të plotë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, kryeministri u zotua gjithashtu për përpjekje më të mëdha për kapjen e kriminelëve të luftës që ende kërkohen nga gjykata e Hagës. Ai gjithashtu u angazhua të sigurojë stabilitetin në mënyrë që BiH të ecë përpara në rrugën drejt integrimit në BE.

Dodik është i martuar dhe ka dy fëmijë.