![]() |
Udhëheqësi i Partisë Demokratike Sali Berisha u emërua kryeministër i Shqipërisë më 3 shtator 2005, pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare më 3 korrik. Partia ka formuar një aleancë me grupe të tjerë, duke kontrolluar 80 prej 140 vendeve në legjislaturë. Qeveria e Berishës u betua më 11 shtator 2005.
Berisha lindi në 15 tetor 1944 në Tropojë dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë më 1967. Pas përfundimit të studimeve të avancuara në Paris, ai përfundoi një program kërkimesh në hemodinamikë. Më 1968, ai u zgjodh anëtar i Komitetit Europian për Kërkime në Shkencat Mjekësore.
Karriera politike e Berishës filloi me lëvizjen studentore në dhjetor 1990. Ai u bë i mirënjohur për kritikat e tij publike të sistemit të vjetër dhe këmbënguljen e tij për demokratizimin e Shqipërisë. Më 1991, Berisha themeloi dhe u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike (PD). Ai u zgjodh anëtar i parlamentit më 1991, 1992, 1997 dhe 2001.
Berisha u zgjodh president i Shqipërisë më 9 prill 1992. Administrata e tij u përpoq të nxisë investimet e huaja, të përmirësojë gjendjen ekonomike të vendit dhe të krijojë një qeveri më liberale dhe më demokratike. Pavarësisht prej shumë reformave që u kryen, administrata ishte e mbushur me korrupsion dhe abuzime të gjithëanshme.
Më 1994, u zhvillua një referendum që do t’i kishte dhënë Berishës më shumë pushtet, por që u refuzua prej votuesve shqiptarë mes frikës se ai do të bëhej një diktator tjetër. Përparimi në vend u bllokua më 1995 dhe rezultoi në pakësimin e besimit publik në institucionet qeveritare. Pavarësisht prej gjithë problemeve të administratës së tij, Berisha u rizgjodh më 26 maj 1996.
Menjëherë pas kësaj, një krize ekonomike u shkaktua nga lulëzimi dhe rrëzimi i disa skemave piramidale financiare. Shumë shqiptarë humbën kursimet e gjithë jetës së tyre. Administrata u akuzua se kishte marrë pjesë në këto skema dhe Berisha u detyrua të largohej nga funksioni i tij.
Duke marrë detyrën e re si kryeministër, Berisha ka premtuar të pakësojë taksat dhe të ristrukturojë qeverinë, duke thënë se përparësia e tij e parë do të jetë që të sigurohet se zgjedhjet e ardhshme -- votimet për bashkitë më 2006 -- të jenë të drejta. Ai ka premtuar të luftojë korrupsionin dhe varfërinë e gjithëanshme dhe t’a integrojë vendin në institucionet ndërkombëtare.
Sali Berisha është i martuar me dy fëmijë.