Mobile | RSS | News Feeds | Facebook | Flickr | Twitter |

Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Traian Basesku

President i Rumanisë

(Faqja në ueb e bashkisë së qytetit të Bukureshtit, Wikipedia.org, BBC, RFE/RL)
photo

Traian Basesku, udhëheqësi i Partisë Demokratike (PD) të qendrës, u zgjodh president i Rumanisë më 12 dhjetor 2004, duke mposhtur Kryeministrin Nastase të Partisë Social-Demokratike (PSD) në balotazh. Ai pasoi Jon Ilieskun pasi mandati i dytë rresht i këtij të fundit përfundoi. Në kohën e zgjedhjes, Basesku kishte disa muaj që shërbente në mandatin e tij të dytë si kryetar i bashkisë së Bukureshtit.

Basesku lindi më 4 nëntor 1951 në qytetin e Basarabisë në qarkun e Konstancës. Ai u diplomua në seksionin tregtar të Insitutit Detar me qendër në Konstancë më 1976 dhe më pas shërbeu si kapiten anije për 11 vjet. Më 1987 ai u bë kryetar i Agjencisë Navrom në Antwerp, Belgjikë. Dy vjet më vonë, ai u emërua administrator i përgjithshëm i inspektoratit të lundrimit civil të ministrisë së transportit, duke u bërë më pas nënsekretar i departamentit të tij për transportin detar.

Pas përmbysjes së komunizmit në Rumani, Basesku hyri në politikë, duke u bashkuar me Frontin për Shpëtimin Kombëtar. Pas ndarjes së tij më 1992, ai u bë anëtar i PD-së.

Basesku shërbeu dy herë si ministër i transportit, nga viti 1991 deri më 1992 dhe përsëri nga viti 1996 deri më 2000.

Ai u zgjodh anëtar i parlamentit më 1992 dhe kryesoi Komitetin e Industrisë dhe Shërbimeve të Dhomës së Deputetëve. Ai dha dorëheqjen vullnetarisht më 1996, duke hequr dorë prej imunitetit të tij për të lehtësuar një hetim ndaj tij në lidhje me një marrëveshje privatizimi. Hetimi nuk arriti të gjejë prova që të konfirmonin përfshirjen e supozuar të tij.

Duke konkurruar si kandidat i PD-së, Basesku fitoi mandatin e tij të parë si kryetar i bashkisë së Bukureshtit në balotazh në korrik 2000. Ai u rizgjodh në këtë funksion në qershor 2004, kur mposhti kandidatin e PSD-së, Ministrin e Jashtëm Mircea Geoana, në raundin e parë të votimit.

Basesku u zgjodh kryetar i PD-së më 2001, duke zëvendësuar Petre Roman në krye të partisë. Në shtator 2003, PD dhe Partia Nacional Liberale (PNL) e Teordor Stolojanit formuan aleancën Drejtësi dhe Zhvillim të opozitës.

Stolojan u emërua si kandidat i aleancës për zgjedhjet presidenciale të 28 nëntorit 2004. Në një veprim të habitshëm më pak se dy muaj përpara zgjedhjeve, udhëheqësi i PNL-së njoftoi tërheqjen e tij prej garës, duke përmendur shëndetin e dobët. Basesku atëherë u bë kandidati i ri i aleancës.

Nastase pati një kryesim me 7 përqind në raundin e parë të zgjedhjeve, por u mposht nga Basesku në balotazh. Presidenti i ri tha se lufta kundër korrupsionit do të jetë një prej përparësive kryesore të tij, së bashku me drejtimin e Rumanisë në BE.

Ai është i martuar dhe ka dy vajza.

Arkivi

Solana, Havier

01/07/2008

Çeku, Agim

14/06/2006

Jovic, Ivo Miro

20/09/2005

Valoto, Xhuzepe

19/09/2005

Rehn, Oli

27/01/2005

Eshdaun, Pedi

17/03/2004

Busek, Erhard

17/03/2004

Bush, Xhorxh W.

17/03/2004

Çaviç, Dragan

17/03/2004

Çoviç, Dragan

17/03/2004

Holkeri, Harri

17/03/2004

Iliesku, Jon

17/03/2004

Kostov, Hari

17/03/2004

Mesiç, Stjepan

17/03/2004

Moisiu, Alfred

17/03/2004

Nano, Fatos

17/03/2004

Nastase, Adrian

17/03/2004

Prodi, Romano

17/03/2004

Rexhepi, Bajram

17/03/2004

Rajs, Kondoliza

17/03/2004

Rugova, Ibrahim

17/03/2004

Simitis, Kostas

17/03/2004

Terziç, Adnan

17/03/2004