Mobile | RSS | News Feeds | Facebook | Flickr | Twitter |

Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Kalin Popesku Tariceanu

Kalin Popesku Tariceanu, Kryeministër i Rumanisë

(RFE/RL, Radio Romania International, European Liberal Democrat and Reform Party, Wikipedia.org)
photo

Kalin Popesku Tariceanu bëri betimin si Kryeministër i Rumanisë më 29 dhjetor 2004, një ditë pasi qeveria e aleancës së qendrës së djathtë e propozuar prej tij u miratua nga parlamenti i vendit. Ai zëvendësoi Adrian Nastase të Partisë Social-Demokratike në këtë funksion.

Lindur më 14 janar 1952, Tariceanu u diplomua në Institutin e Inxhinierisë Civile në Bukuresht dhe ka një diplomë master në Informatikë dhe Matematikë nga Universiteti i Bukureshtit. Nga viti 1976 deri më 1979, Tariceanu shërbeu si inxhinier në Administratën Kombëtare të Ujrave në departamentin e qarkut Arges dhe në një ndërmarrje ndërtimi në Bukuresht. Ndërmjet vitit 1980 dhe 1991, ai ishte profesor në Fakultetin e Hidroteknikës në Bukuresht.

Më 1990, themeloi Radion Kontakt, rrjeti i parë privat radiofonik në Rumani. Dy vjet më vonë, u bë administrator i përgjithshëm i Radio Kontakt Rumania, duke shërbyer në këtë funksion deri më 1996.

Më 1994, Tariceanu u bë anëtar themelues i Shoqatës së Prodhuesve e Importuesve të Automobilëve dhe shërbeu si kryetar i saj deri më 1997. Ai u rizgjodh në këtë funksion më 2001.

Tariceanu hyri në politikë menjëherë pas rrëzimit të komunizmit në Rumani, duke u bërë anëtar themelues i Partisë Nacional-Liberale (PNL), kur ajo u krijua në fillim të viteve 1990. Ai shërbeu si sekretar ekzekutiv i partisë deri më 1992 dhe si anëtar i asamblesë kushtetuese të saj në parlament. Më 1993, Tariceanu u zgjodh zëvendëskryetar i PNL-së dhe ka qënë anëtar i parlamentit që më 1996.

Tariceanu shërbeu si zëvendëskryeministër dhe ministër i industrisë dhe tregtisë në qeverinë e ish-Kryeministrit Viktor Çiorbea nga viti 1996 deri më 1997, kur filloi ristrukturimi i sektorit minerar të Rumanisë. Ristrukturimi i sektorit të naftës të Rumanisë dhe Ndërmarrjes Kombëtare Elektrike Rumune janë mes arritjeve të tjera që i atribohen Tariceanut.

Më 2003, PNL formoi Aleancën Drejtësia dhe e Vërteta me Partinë Demokratike të Traian Basheskut. Tariceanu ishte administrator i fushatës së aleancës për zgjedhjet lokale në qershor 2004.

Në fillim të tetorit 2004, kur Teodor Stolojan dha dorëheqjen si kryetar i PNL-së, Tariceanu mori përsipër funksionin e kryetarit të përkohshëm të partisë dhe bashkë-kryetar i Aleancës Drejtësia dhe e Vërteta. Ai u zgjodh anëtar i parlamentit më 28 nëntor 2004.

Pas fitores së balotazhit presidencial kundër Nastases më 12 dhjetor 2004, Bashesku i kërkoi Tariceanut që të formojë qeverinë e ardhshme të vendit.

Duke paraqitur programin e qeverisë së tij në parlament, Tariceanu premtoi të luftojë korrupsionin dhe varfërinë dhe të zbatojë reformat që nevojiten për hyrjen e vendit të tij në BE më 2007. Hapi i parë që ndërmorri qeveria e tij ishte ulja e taksave mbi të ardhurat dhe taksat për ndërmarrjet në një nivel prej 16 përqind, në një përpjekje për të kufizuar ekonominë e zezë të vendit dhe për të inkurajuar investimet e drejtpërdrejta të huaja.

Tariceanu është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Arkivi

Çeku, Agim

14/06/2006

Jovic, Ivo Miro

20/09/2005

Valoto, Xhuzepe

19/09/2005

Eshdaun, Pedi

17/03/2004

Bush, Xhorxh W.

17/03/2004

Çaviç, Dragan

17/03/2004

Çoviç, Dragan

17/03/2004

Holkeri, Harri

17/03/2004

Iliesku, Jon

17/03/2004

Kostov, Hari

17/03/2004

Mesiç, Stjepan

17/03/2004

Moisiu, Alfred

17/03/2004

Nano, Fatos

17/03/2004

Nastase, Adrian

17/03/2004

Prodi, Romano

17/03/2004

Rexhepi, Bajram

17/03/2004

Rajs, Kondoliza

17/03/2004

Rugova, Ibrahim

17/03/2004

Simitis, Kostas

17/03/2004

Terziç, Adnan

17/03/2004