![]() |
Kryeministri bullgar Simeon Sakse-Koburg-Gotha lindi më 1937, biri i Mbretit bullgar Boris III (Dinastia e Sakse-Koburg) dhe Mbretëreshës Joana (ish-Princesha Xhovana e Italisë, Dinastia e Savojës). Kur mbreti Boris vdiq në mënyrë misterioze pas një takimi me Adolf Hitlerin, Simeoni pasoi babanë e tij në moshën 6 vjeç. Simeoni i ri sundoi për tre vjet nën tutelën e këshillit të regjencës prej tre-anëtarësh deri në përmbysjen sovjetike të vitit 1944, e cila rezultoi në vrasjen e regjentëve të tij, përfshirë xhaxhanë e tij dhe shumë prej inteligjencës së vendit. Dy vjet më vonë, një referendum, për të cilin shumë besojnë se ishte i manipuluar, detyruan mbretin dhe nënën e tij të largoheshin prej vendit. Fillimisht ata shkuan në Egjipt përpara se të vendoseshin në Spanjë, ku iu dha azili. Simeoni ndoqi Liceun Francez në Madrid dhe Akademinë Ushtarake Velli Forge në Uejn, Pensilvania, në Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu ka përfunduar një kurs 3-vjeçar në administrim biznesi dhe të drejtë.
Ish-mbreti e ka kaluar shumicën e jetës së tij duke punuar si tregtar në Spanjë dhe SH.B.A. Ai shërbeu për 13 vjet si kryetar i degës spanjolle të Thomsonit, një grup francez për mbrojtjen dhe elektronikën. Ai ka punuar si këshilltar për firma të ndryshme në Europë dhe Afrikë, që specializoheshin në sektorët bankarë, hotelierë, elektronikë dhe të përgatitjes së ushqimit.
Në ndryshim nga disa prej kolegëve të tij, Simeoni u përpoq shumë të ruante trashëgiminë e tij kulturore. Ai i përket Kishës Kristiane Ortodokse dhe ende flet rrjedhshëm bullgarisht, megjithëse një variant pak të vjetëruar, për shkak të dekadave të mërgimit. Në kthimin e tij në atdhe më 1996, Simeoni u përshëndet nga mijëra bullgarë, që brohorisnin: “Ne duam Mbretin tonë!”
Organizatës së tij politike të sapo-formuar, Lëvizja Kombëtare Simeoni II, iu desh vetëm tre muaj për të mposhtur Bashkimin e Forcave Demokratike në pushtet dhe krye-rivalin e saj të përhershëm, Partinë Socialiste Bullgare, në zgjedhjet parlamentare të vendit më 24 korrik. Pas njëfarë paqartësie fillestare, Simeoni në fakt pranoi pozicionin e kryeministrit. Në aleancë me Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë turke etnike, ai ka mbledhur një qeveri të përbërë kryesisht prej teknokratësh dhe specialistësh ekonomikë të arsimuar në Perëndim. “Përparësitë kryesore të kësaj marrëveshje [aleance] janë hyrja dhe anëtarësia e plotë në Bashkimin Europian dhe NATO, një luftë e vendosur kundër korrupsionit dhe zhvillim ekonomik i shpejtë dhe i qëndrueshëm,” tha Sakse-Koburg-Gotha në një fjalim të tij në parlament.
Simeoni është i martuar me aristokraten spanjolle Dona Margarita Gomez-Akebo y Cejuela. Ata kanë pesë fëmijë.