Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Kolin L. Pauëll

Sekretari i Shtetit i SH.B.A.-së

(New York Times - 17/12/00; U.S. Department of State; ExpandNATO.org)
photo

Kolin Pauëll u betua si sekretari i shtetit i SH.B.A.-së më 20 janar 2001. Një gjeneral me katër yje në pension, Pauëll sjell në postin e tij 35 vjet përvojë ushtarake, përfshirë katër vjet si kryetar i Bashkëshefave të Shtabit. New York Times e ka quajtur Pauëll "njeriun e brendshëm më të rëndësishëm, gjeneral të politikëbërjes, që mbahet si model i gjeneralit të ushtrisë në një epokë kur finesa diplomatike dukej më e rëndësishme sesa përvoja në luftë."

Bir emigrantësh nga Xhamajka, Pauëll lindi më 5 prill 1937 në Harlem, një lagje në qytetin e Nju Jorkut, dhe u rrit në Bronksin jugor. Babai i tij ishte punësuar si kopshtar dhe mbikqyrës godinash, si dhe furnitor, shpërndarës dhe përgjegjës në sektorin e veshjeve në Manhatan. Nëna e tij punonte si rrobaqepëse. Pauëll vazhdoi shkollat publike të qytetit të Nju Jorkut dhe përfundoi studimet në Universitetin e qytetit të Nju Jorkut i diplomuar në gjeologji. Ai u anëtarësua në programin e Treinimit të Korpusit të Oficerëve Rezervë gjatë viteve të tij të kolegjit dhe u gradua toger i dytë në ushtri pas diplomimit më 1958. Pas dy periudha shërbimi në Vietnam, ushtria e dërgoi Pauëll në Universitetin Xhorxh Uashington, ku ai mori një gradë Master në Administrim Biznesi më 1969.

Viti 1972 shënoi një pikë kthimi në karrierën e Pauëllit. Ai u zgjodh për programin prestigjioz një-vjeçar të bursës pasuniversitare të Shtëpisë së Bardhë dhe pati mundësinë të studionte sistemin politik amerikan, ndërsa punonte në Zyrën e Administrimit dhe të Buxhetit. Pas një periudhe shërbimi në Korenë e Jugut, Pauëll u kthye në Uashington për të punuar në Pentagon për katër vjet, ndërsa ishte President Xhimi Karter. Pastaj ai shërbeu si një ndihmës i lartë në Departamentin e Energjisë për një vit. Më 1983 ai u bë ndihmësi ushtarak i Sekretarit të Mbrojtjes Kaspar W. Ueinberg. Pasi kishte punuar në Departamentin e Mbrojtjes, Pauëll u kthye në terren për të komanduar Korpusin e Pestë të Ushtrisë në Europën Perëndimore. Më 1986 ai shkoi përsëri në Shtëpinë e Bardhë, kësaj rradhe si zëvendëskëshilltar i sigurisë kombëtare, ndërsa ishte President Ronald Regan. Më 1987 Pauëll u caktua ndihmës i presidentit për çështjet e sigurisë së brendshme, detyrë në të cilën ai qëndroi deri në janar 1989. Ai u bë kryetar i Bashkëshefave të Shtabit në tetor 1989, duke shërbyer edhe ndërsa ishte President Xhorxh Bush si dhe President Bill Klinton, deri në daljen e tij në pension më 1993.

Pas daljes në pension nga ushtria, Pauëll kaloi dy vjet duke shkruar autobiografinë e tij "Udhëtimi im amerikan," i cili u botua në shtator 1995. Përpara marrjes së funksionit të tij si sekretar i shtetit, gjenerali në pension punoi si themelues dhe kryetar i "Premtimi i Amerikës: Aleanca për Rininë," një organizatë që punon me korporata, shoqata bamirëse dhe bashkësi për të nxitur vullnetarizmin, me synimin e ndihmës ndaj të rinjve në gjendje të keqe.

Pauëll njohu gruan e tij, Alma Vivian Xhonson, në një takim surprizë më 1961. Ata kanë tre fëmijë dhe dy nipër e mbesa.