Burimet rajonale

Biografi, Zgjedhjet

Hari Kostov

Kryeministër i Maqedonisë

(RFE/RL, MIA, Makfax - 31/05/04; RFE/RL - 14/05/04; Reality Macedonia - 13/05/04; Agjencia e Informacionit e Qeverisë Maqedonase)
photo

Hari Kostov u emërua Kryeministër i Maqedonisë më 3 qershor 2004. Ai zëvendësoi Branko Crvenkovskin, i cili fitoi balotazhin në zgjedhje më 28 prill në zgjedhjet e parakohshme presidenciale në vend.

Kostov, me profesion ekonomist, shërbente si Ministër i Brendshëm kur Crvenkovski e emëroi Kryeministër më 14 maj.

Kostov lindi më 13 nëntor 1959, në fshatin e Pisnicës, Probistip. Ai u diplomua nga Fakulteti i Ekonomisë në Shën Ciril dhe Universitetin Metodius në Shkup më 1983.

Më 1988, pasi shërbeu për pesë vjet në qeverinë e Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Kostov u emërua këshilltar ekonomik në nivelin qeveritar. Ai qëndroi në atë funksion deri në shkurt 1994, më shumë se dy vjet pas shkëputjes së Maqedonisë nga Jugosllavia në nëntor 1991.

Kostov u emërua Zëvendësministër i Financës më 1994, gjatë mandatit të parë të Crvenkovskit si Kryeministër i Maqedonisë. Ai kryesoi komitetin drejtues të vendit për reformën bankare.

Nga gushti 1995 deri në tetor 1996, Kostov shërbeu si asistent i drejtorit të përgjithshëm të Bankës Botërore për një grup vendesh përfshirë Maqedoninë. Deri në emërimin e tij si Ministër i Brendshëm më 2002, ai punoi si kryeadministrator i një banke tregtare.

Duke iu drejtuar Parlamentit maqedonas pas emërimit si Kryeministër, Kostov tha se përparësitë kryesore të qeverisë së tij do të përfshinin zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, përparimin ekonomik dhe integrimin në strukturat Euro-Atlantike. Ai gjithashtu premtoi përpjekje më të mëdha në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndër-etnike në vend.

"Vetëm forcimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndër-etnike, i besimit ndër-etnik, i bashkëjetesës së vërtetë dhe të përhershme, i tolerancës etnike dhe fetare dhe respekti i lirive dhe të drejtave të njeriut janë rruga e drejtë për arritjen e paqes së përhershme dhe stabilitetit politik. Marrëveshja Kornizë [e Ohrit] dhe parimet, të drejtat dhe detyrimet e saj kanë përcaktuar udhën e vetme drejt integrimit Euro-Atlantik," tha Kostov.