04/07/2012
Zyrtarë të BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane ndodhen në Nikozia. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: një konsort që përfshin kompaninë turke TAV dhe Consolidated Contractors Company të Greqisë u zgjodhën për të ndërtuar një terminal të ri aeroporti në kryeqytetin e Emirateve, Abu Dhabi.
![]() Qiproja e cila mori presidencën e radhës së BE-së të dielën (1 korrik), u bë javën e kaluar anëtari i pestë i eurozonës që kërkon ndihmë financiare nga partnerët e tij evropianë. [Dosier] |
Zyrtarë nga trojka e kreditorëve -- BE-ja, FMN-ja dhe Banka Qendrore Evropiane -- filluan bisedimet treditore në Nikozia të hënën (2 korrik) në lidhje me një paketë shpëtimi që Qiproja kërkoi javën e kaluar. Përfaqësues të trojkës do të vizitojnë gjithashtu Greqinë për të kontrolluar progresin e vendit në implementimin e reformave strukturore.
***
Bullgaria është anëtari i BE-së me sektorin më të madh ekonomik në informalitet, që përbën 32.3% të aktivitetit ekonomik në vend, tha Komisioni Evropian. Rumania është e dyta me 29.6%. Shumica e ekonomisë informale vjen nga puna e padeklaruar, si edhe evazioni i taksave. Mesatarja e ekonomisë informale të BE-së qëndron te 18.4%.
***
Kompania shtetërore e energjetikës të Kroacisë, HEP, planifikon të investojë 3 miliardë euro në infrastrukturën e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes deri në vitin 2016, njoftoi drejtori ekzekutiv i kompanisë Zlatko Voracevic të enjten (28 qershor). Ai shpjegoi se investimi është i nevojshëm për ristrukturimin, i cili do të ndihmonte në reduktimin e varësisë së madhe të vendit nga importet e energjisë.
***
Ekonomia e Serbisë u tkurr me 1.3% në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me një rritje prej 0.6% në tre muajt e fundit të vitit 2011, treguan statistikat zyrtare të premten (29 qershor). Kjo është tkurrja e parë në dy vjet, dhe i është atribuuar motit të keq dhe rrjedhjes së kapitalit, të cilat kanë ndikuar negativisht në rezultat.
***
Ekonomia e Turqisë u rrit me një normë më të ulët prej 3.2% në tremujorin e parë të këtij viti, treguan të dhënat zyrtare të hënën (2 korrik). Në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, ekonomia u rrit me 5.3%.
***
Ministria e Drejtësisë së Kroacisë ka njoftuar se qytetarët me borxhe të mëdha do të jenë në gjendje të deklarojnë së shpejti "falimentimin privat". Megjithëse nuk është njoftuar një datë për prezantimin e legjislacionit, ekspertët besojnë se kjo nuk do të ndodhë përpara vjeshtës. Llogaritje të ndryshme sugjerojnë se ka 10 000 deri 30 000 kroatë që nuk arrijnë të mbulojnë borxhet e tyre.
***
Një konsort që përfshin kompaninë turke TAV dhe Consolidated Contractors Company të Greqisë, u shpallën të mërkurën (27 qershor) fitues të një kontrate prej 2.9 miliardë dollarë për të ndërtuar një terminal të ri aeroporti në kryeqytetin e Emirateve, Abu Dhabi. Grupi, që përfshin gjithashtu edhe Arabtec me qendër në Dubai, do të fillojë punimet në tre muajt e ardhshëm dhe do të përfundojë deri në vitin 2017.
***
Konsorti Shah Deniz II i Azerbajxhanit, i drejtuar nga British Petroleum dhe Statoil, njoftoi të enjten (28 qershor) se ka përzgjedhur gazsjellësin Nabucco West si itinerarin për transportimin e gazit Kaspik në Evropën Perëndimore. Itinerari i projektit kalon nga kufiri Turqi - Bullgari deri në Austri.
(Burime të ndryshme -- 27/06/12-04/07/12)
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes