01/12/2009
Kryeministrat e tre vendeve të Ballkanit diskutojnë mbi mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Prespës. Gjithashtu në lajmet diplomatike: Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan ishte në Tripoli dhe Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt ishte në Shkup.
![]() Kryeministri grek Jorgo Papandreu (në mes) dhe homologu i tij shqiptar Sali Berisha pozojnë të premten (27 nëntor) me gratë me kostume kombëtare në Parkun Kombëtar të Liqenit të Prespës. [Getty mages] |
Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe homologët e tij grek dhe maqedonas, Jorgo Papandreu dhe Nikolla Gruevski, zhvilluan një takim jozyrtar në Liqenin e Prespës, Greqi, të premten (27 nëntor) për të diskutuar mbi mundësitë për të mbrojtur Parkun Kombëtar të Prespës. Ata ranë dakord që të nënshkruajnë një marrëveshje tre-palëshe mbi mbrojtjen mjedisore të rajonit dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe që të nxitin bashkëpunimin në fushat e burimeve ujore, parandalimit të ndotjes dhe mbrojtjes nga erozioni.
***
Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës të BE tha të premten (27 nëntor) se ai nuk pret që Greqia të vërë veton ndaj bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në takimin e nivelit të lartë të Këshillit Europian më 7 dhjetor, pavarësisht nga mosmarrëveshja e gjatë e emrit midis të dy vendeve. Bildt, i cili ishte në një vizitë të shkurtër në Shkup, u takua me Kryeministrin Nikolla Gruevski dhe Ministrin e Jashtëm Antonio Milososki për të diskutuar mbi procesin e integrimit të Maqedonisë në BE dhe qëndrimin e vendit mbi mosmarrëveshjen për emrin.
***
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen mbërriti të enjten (26 nëntor) për një vizitë dy ditore në Malin e Zi. Ai zhvilloi bisedime me Ministrin e Jashtëm Milan Roçen, Ministrin e Mbrojtjes Boro Vuçiniç, Kryeministrin Millo Gjukanoviç dhe Presidentin Filip Vujanoviç. Nga Mali i Zi Rasmusen udhëtoi për në Bosnjë dhe Herzegovinë.
***
Presidenti bullgar Georgi Parvanov dhe homologu i tij grek Karolos Papulias ranë dakord më 24 nëntor që të shqyrtojnë mënyrat për të thelluar lidhjet e ndërsjellta. Parvanov, që bënte një vizitë tre ditore në Greqi, theksoi se si Sofja, ashtu edhe Athina mbështesin shansin europian të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të dy presidentët diskutuan mbi ngjarjet në Europën Juglindore, gjendjen në Kosovë dhe Bosnjë dhe Herzegovinë, çështjen qipriote, mosmarrëveshjen e emrit të Maqedonisë dhe shansin e Turqisë për në BE.
***
Sllovenia do të mbështesë procesin e integrimit në BE të Maqedonisë, tha më 24 nëntor Ministrja e Brendshme sllovene Katarina Kresal, pas takimit me homologen maqedonase të saj Gordana Jankulovska. Bisedimet midis dy zyrtarëve u përqëndruan në heqjen e ardhshme të kërkesave për viza për në BE për shtetasit maqedonas dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut njerëzor.
***
Udhëheqësi libian Muamar Gadafi u takua me Kryeministrin turk Rexhep Tajip Erdogan më 24 nëntor në Tripoli. Ata diskutuan mbi procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe reformat e mundshme në OKB. Gadafi këmbëngul në dhënien fund të sistemit të tanishëm të OKB në të cilin pesë anëtarë të përhershëm të organizatës kanë të drejtën e vetos. Erdogan u takua gjithashtu me homologun libian të tij Baghdadi Mahmudi.
(Burime të ndryshëm -- 24/11/09-01/12/09)
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes