23/06/2009
Kryeministri kroat Ivo Sanader ishte në Podgoricë. Gjithashtu në lajmet diplomatike: Turqia dhe Kina do të diskutojnë bashkëpunimin dhe Presidenti i ICTY Patrik Robinson thotë se BiH duhet të arrestojë të kërkuarit për krime lufte.
![]() Kryeministri malazes Milo Gjukanoviç (djathtas) dhe homologu i tij kroat Ivo Sanasder kalojnë në revistë një roje nderi të hënën (22 qershor) në Podgoricë. [Getty Images] |
Kryeministri kroat Ivo Sanader bëri një vizitë zyrtare në Malin e Zi të hënën (22 qershor) ku u takua me homologun e tij Milo Gjukanoviç, Kryetarin e Parlamentit Ranko Krivokapiç dhe Presidentin Filip Vujanoviç. Diskutimet u përqëndruan në marrëdhëniet e ndërsjellta, gjendjen në rajon dhe integrimin europian dhe euro-atlantik. Sanader u takua gjithashtu me përfaqësuesit e bashkësisë kroate në Malin e Zi.
***
Presidenti qipriot Demetris Kristofias tha se procesi i pranimit të Turqisë në BE do të rrezikohet nëse vendi nuk përmbush detyrimet e veta ndaj BE dhe Republikës së Qipros. Kristofias, në një vizitë në Greqi të dielën (21 qershor) tha se Turqia dhe qipriotët turq duhet të shfaqin mirëkuptim dhe vullnet të mirë në bisedimet e ribashkimit në proces, për të zgjidhur problemin e Qipros.
***
Presidenti turk Abdullah Gul nisi të martën (23 qershor) një vizitë në Kinë, për të ngritur nivelin e bashkëpunimit strategjik e ekonomik midis të dy vendeve. Gul pritet të takohet me homologun e tij Hu Xhintao dhe të marrë pjesë në një forum biznesi në Pekin.
***
Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Herzegovinë Valentin Inzko dhe Presidenti i gjykatës së krimeve të luftës të Hagës Patrik Robinson thanë se bashkëpunimi i i BiH me gjykatën nuk do të ishte i plotë deri sa të kërkuarit për krime lufte Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç të jenë të lirë. Më 16 qershor, Inzko siguroi Robinson, i cili ishte në Sarajevë, se një nga përparësitë e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë është të shpërbëjë rrjetin mbështetës të të kërkuarve.
***
Kryeministri malazes Milo Gjukanoviç dhe homologu i tij shqiptar Sali Berisha hapën të premten (19 qershor) një kalim të ri kufitar në kufirin midis vendeve të tyre. Kalimi i ri Murriqan-Sukobina u financua nga BE. Ai është një pjesë e një programi më të madh për të hapur 12 kalime në kufirin Shqipëri-Mali i Zi.
***
Presidenti kroat Stipe Mesiç dhe homologu i tij kinez Hu Xhintao ranë dakord të shtunën (20 qershor) të zgjerojnë më tej bashkëpunimin e ndërsjelltë ekonomik mes krizës botërore. Të dy presidentët nënshkruan disa marrëveshje mbi bashkëpunimin ekonomik, në periferi të një forumi biznesi kroat-kinez në Zagreb.
***
Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan pritet të udhëtojë në Tiranë më 25 qershor me ftesë të homologut të tij shqiptar Sali Berisha. Erdogan do të marrë pjesë në Shqipëri në përurimin e segmentit Rrëshen-Kalimash të autostradës Durrës-Kukës, e cila është tani në ndërtim. Ai është caktuar të takojë gjithashtu Presidentin Bamir Topi dhe Kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama.
***
Presidenti serb Boris Tadiç tha gjatë bisedimeve të tij me udhëheqësit serbë boshnjakë të hënën (22 qershor) në Banja Luka se Serbia mbështet integritetin dhe sovranitetinh e BiH. Lidhur me vendimin e Përfaqësuesit të Lartë Valentin Inzko për të anulluar një rezolutë të miratuar nga parlameti i Republikë Sërbska (RS) mbi transferimin e pushtetit në BiH, Tadiç tha se gjendja duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut. "Gjithëkush që do stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe rrrjedhimisht në Bosnje, do që të shmangë situatat në të cilat janë anulluar vendime të ligjshme të përfaqësuesve të popullit," tha Tadiç.
***
Media lokale raportoi të martën (23 qershor) se Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu mori një letër nga Presidenti francez Nikolas Sarkozi. Letra ju dorëzua Sejdiut nga Ambasadori francez në Prishtinë Dolfin Borione. "Gati një vit e gjysmë pasi Kosova arriti pavarësinë, vendi juaj ka qenë i aftë të afirmojë veten në skenën ndërkombëtare dhe pakthyeshmëria e ekzistencës së vendit tuaj është diçka e njohur nga të gjithë," thoshte Sarkozi. Ai vlerësoi gjithashtu respektin e Kosovës për vlerat evropiane.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes