08/07/2008
Sergej Stanishev i Bullgarisë ishte këtë javë në Paris. Gjithashtu në të rejat diplomatike: zyrtarët e BiH do të takohen të mërkurën për të diskutuar legjislacionin e SAA dhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ishte në Stamboll.
![]() Kryeministri bullgar Sergej Stanishev (majtas) dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi nënshkruajnë marrëveshjen gjatë një takimi në 4 korrik në pallatin Elize në Paris. [Getty Images] |
Presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kryeministri bullgar Sergej Stanishev nënshkruan të premten (4 korrik) në Paris një marrëveshje mbi partneritetin strategjik. Dokumenti përmban një plan udhëzues për marrëdhëniet e ndërsjellta në të gjitha fushat dhe fondet që thellojnë bashkëpunimin ushtarak veçanërisht në çështjet detare. Bullgaria thuhet se ra dakord të blejë dy korveta frënge, njëra nga të cilat do të ndërtohet në portin e Varnës të Detit të Zi.
***
Presidenti turk Abdullah Gul dhe presidenti rus Dmitry Medvedev mbajtën takimin e tyre të parë dypalësh të shtunën (5 korrik) në kryeqytetin kazak të Astanës. Ata diskutuan perspektivat për bashkëpunimin e ndërsjelltë në investimet dhe turizmin si edhe ndërmarrjet e përbashkëta në projektet e mëdha të infrastrukturës.
***
Kryetarët e dhomave të parlamentit të nivelit shtetëror të Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) dhe të parlamenteve të Federatës së BiH dhe Republika Srpska (RS) do të takohen të mërkurën (10 korrik) për të renditur axhendën legjislative lidhur me zbatimin e marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit.
***
Presidenti kroat Stjepan Mesiç arriti të martën (8 korrrik) për një vizitë zyrtare në Malin e Zi pas një ftese nga homologu i tij malazes Filip Vujanoviç. Të dy krerët do të takojnë gjithashtu kryetarin e parlamentit malazes Ranko Krivokapiç dhe kryeministrin Milo Gjukanoviç. Diskutimet do të përqëndrohen në çështjet e ndërsjellta, problemet në rajon dhe integrimin në BE.
***
Presidenti grek Karolos Papulias dhe kancelari austriak Alfred Gusenbauer mbështetën të enjten (3 korrik) procesin e integrimit të Kroacisë në BE gjatë një takimi në Vienë. Austria dhe Greqia duan ta shohin Kroacinë në BE sa më parë të jetë e mundur, tha këshilltari i politikës së jashtme të Gusembauer, Bernhard Vrabetz.
***
Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov u takua me ministrin e jashtëm turk Ali Babaçan në 2 korrik në Stamboll. Ata diskutuan bisedimet midis Sirisë dhe Izraelit të ndërmjetësuara nga Turqia.
***
Sekretarja e shtetit e SHBA Kondoliza Rajs pritet të vizitojë Bullgarinë në fund të korrikut si pjesë e turneut të saj evropian, tha në 2 korrik zëdhënësi i ministrisë së jashtme bullgare Dimitar Tzençev. Rajs do të marrë medaljen më të lartë kombëtare bullgare për ndihmën e dhënë në lirimin e punonjësve mjekësorë bullgarë të burgosur në Libi, tha ai.
***
Ministri i jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni arriti të hënën (7 korrik) për një vizitë zyrtare në Ljubljanë pas një ftese nga homologu i tij slloven Dimitrij Rupel. Hyseni dhe Rupel do të diskutojnë ndihmën e planifikuar sllovene për Kosovën.
***
Ambasadori irlandez në Bosnje dhe Herzegovinë, Patrick A. McCabe tha në 1 korrik se BE nuk pranon një qasje në integrimin evropian që përfshin elemente nënshtetërore. Ai po reagonte ndaj komenteve nga kryeministri i Republika Srpska (RS) Milorad Dodik, i cili tha se RS mund ta fitonte anëtarësimin në BE më shpejt se mundej BiH.
(Burime të ndryshme 01/07/08-08/07/08)